LAJMI I FUNDIT:

Ringjalleni bashkëshortësinë

Ringjalleni bashkëshortësinë

Kur jeni njohur fillimisht, s’keni mundur së ndaluri duke qëndruar me njëri-tjetrin, ndërsa e ardhmja juaj e përbashkët është dukur parajsë. I keni lodhur të gjithë me tregimet për partnerin të cilat kanë qenë, kuptohet, me superlativa. Mirëpo me kalimin e kohës, pas disa vitesh bashkë, martesës, obligimeve dhe problemeve të përditshme, shuhet dashuria që e keni pasur në fillim. Nëse mund ti afroheni njëri-tjetrit së paku njëherë në javë jeni të kënaqur.

Mos e humbni besimin sepse për ringjalljen e jetës së lumtur, nganjëherë nuk duhet shumë. Si shenjë e afrimit të serishëm mund të jetë një pjesë e kohës të cilën e kaloni vetëm ju dy, një mesazh në letër se e doni, një bisedë për një udhëtim të përbashkët apo blerja e ndonjë dhurate pa ndonjë arsye të veçantë.

Ja disa sugjerime të cilat i propozojnë këshilluesit e bashkëshortëve:


Flisni për të ardhmen. Çifteve u pëlqen të ëndërrojnë dhe të planifikojnë të ardhmen, u pëlqen të flasin për vendet të cilat do t’i vizitojnë, për një shtëpi të bukur dhe për gjëra tjera të përbashkëta. Mirëpo me kalimin e viteve ky ëndërrim zhduket. Mos lejoni që t’u ndodhë juve kjo. Duhet të besoni se vitet që vijnë do të jenë kulmi i jetës suaj të përbashkët. Kështu që vazhdimisht planifikoni çka do të bëni dhe ku do të shkoni.

Dhuratë pa ndonjë arsye. Nuk janë vetëm përvjetorët dhe festat ditë kur duhet ta përkujtoni personin që dashuroni. Blerja e ndonjë dhurate kur s’e pret, do ta gëzojë së tepërmi partnerin tuaj, prandaj mos e pritni ditëlindjen për t’i blerë diçka. Shenjat e vogla të kujdesit ju lidhin më tepër dhe risin ndjenjën se i takon dikujt.

Fotografohuni bashkë. Nëse jeni nga ato çifte të cilat nuk mbajnë mend kur janë fotografuar herën e fundit është koha që ta ndryshoni atë. Zgjidhni ndonjë moment të bukur dhe bëjeni të përhershëm me anë të aparatit, ndërsa fotografinë vendoseni në një vend ku duket, me qëllim që t’ju përkujtojë se përveç punës dhe fëmijëve, ende ekzistoni ju të dy dhe lidhja e juaj.

Çdo ditë gëzojeni njëri-tjetrin me ndonjë gjest të bukur. Në momentet kur nuk mund ta arrini gjithë punën, obligimet shtëpiake dhe fëmijët, duhet të mendoni edhe për nevojat e partnerit tuaj duke bërë ndonjë gjë të vogël e cila do ta gëzojë. Dërgoni ndonjë mesazh të bukur, priteni me një kafe të gatshme, dërgoni një e-mail për t’i treguar se mendoni për të etj. Kjo nuk është e vështirë, ndërsa partnerit tuaj do t’ia zbukurojë ditën.

Gjatë bisedës shmangni temat e zakonshme.
Kur të keni arritur të vidhni një pjesë të kohës vetëm për ju dy, p.sh. të dielën në mëngjes derisa fëmijët shikojnë TV, mos flisni për shefin e ri në punë, mënyrën si do t’i edukoni fëmijët ose për atë çka do të hani atë ditë. Flisni për shpresat tuaja, për dëshirat dhe për temat personale të cilat do të kenë veprim shumë pozitiv në lidhjen tuaj. Nëse do të mund të kuptoheni atëherë do ta vlerësoni më shumë njëri-tjetrin.

Përjetoni ndonjë ritual nga fillimi i lidhjes suaj. Nëse në fillim të lidhjes suaj keni pasur një lokal të preferuar është koha që ta vizitoni. Nëse ju ka pëlqyer ndonjë këngë e veçantë, përjetoni përsëri ato ndjesi duke e dëgjuar përsëri. Krejt çka ju përkujton fillimin e lidhjes suaj do t’ju përkujtojë se sa është thelluar dashuria juaj dhe sa jeni afruar prej asaj kohe.

Caktoni një takim dhe rregullohuni.
Partneri u sheh më së shpeshti në tesha të zakonshme sesa të rregulluar. Një dalje e përbashkët, ku do të jeni të veshur mirë, do t’u bëj të ndjeheni mirë dhe të lumtur me veten tuaj.

Mbahuni për dore dhe përkëdheluni. Diçka e cila ka qenë e zakonshme në fillim tani ndodhë shumë rrallë. Rinovoni këto rituale të vogla intime. Mbahuni për dore kur të dilni për kafe. Afërsinë do ta ruani edhe nëse para gjumit mbani një “seancë” përkëdheljeje.