Rekordet e çunave kosovarë në Norvegji

Odegaard mban edhe rekordin si më i riu që ka luajtur në ekip përfaqësues të seniorëve dhe deri vonë mbante edhe rekordin si më i riu që ka luajtur futboll profesionist në Norvegji. Por rekordin e fundit të hënën ia theu shqiptari Kreshnik Krasniqi. Me rekordin e vënë nga Krasniqi, Odegaard është futur në mes shqiptarëve. Kjo pasi supertalenti mori rekordin si më i riu që luajti në nivel profesionist në Norvegji pikërisht nga një shqiptar, nga Zymer Bytyqi. Një shqiptarit ia mori rekordin, e një tjetrit ia dorëzoi.
Krasniqi që i mbush 15 vjeç më 22 dhjetor, të hënën, luajti prej minutës së 86-të për Hoenefossin që fitoi 3:1 në udhëtim ndaj Nest Sotra në kuadër të Kategorisë së dytë norvegjeze. Në Norvegji dy kategoritë e para llogariten profesionale. Disa mediume në këtë vend kanë shkruar se në kategorinë e dytë më herët kishte luajtur edhe një futbollist që posa kishte mbushur 15 vjeç. Por shumica e mediumeve norvegjeze, por edhe botërore kanë shkruar se Krasniqi theu rekordin e Odegaardit.
Odegaard luajti më 13 prill të vitit të kaluar në elitën norvegjeze kur kishte moshë prej 15 vjet e 118 ditë. Rekordin me 15 vjet e 260 ditë më herët e mbante Bytyqi. Por Krasniqi ka ulur limitin nën 15-vjeç që vlerësohet fenomen duke ditur që pak arrijnë në nivelin senior pa i mbushur 20 vjeç.
"Jam i lumtur që kam thyer rekordin, por kjo nuk do të thotë asgjë nëse nuk vazhdoj të zhvillohem ende si lojtar. Fakti se tash jam më i riu që kam luajtur ndonjëherë si profesionist në Norvegji do të më shtyjë që të punoj edhe më shumë. Shpresoj që të ndjek rrugën që ka ndjekur Odegaard, por unë ëndërr e kam Barcelonën. Jam i vendosur të kem sukses në futboll dhe punoj shumë për këtë. Nuk rri duke ëndërruar", ka thënë Krasniqi për gazetën.
Në të vërtetë rasti i Krasniqit dëshmon se futbollistët e rinj shqiptarë kanë gjetur veten mirë në Norvegji. Pos tij e Bytyqit, edhe plot të rinj shqiptarë kanë bërë e bëjnë karrierë në Norvegji.









































