LAJMI I FUNDIT:

Reforma në Drejtësi, në dorë të ambasadorit Lu

Reforma në Drejtësi, në dorë të ambasadorit Lu

Palët politike në vend, ia kanë besuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për Reformën në Drejtësi ambasadorit Lu. Burime nga PS dhe PD kanë bërë të ditur se falë negocimit të tij pritet që të gjendet një zgjidhje brenda marsit

Klasa politike shqiptare, pavarësisht dallimeve që ka, do tentojë që Reformën në Drejtësi ta mbyllë para ardhjes së komisionerit të zgjerimit Johanes Hahn në fund të këtij muaji.


Por për të arritur këtë, do duhet që të sheshojnë të gjitha mosmarrëveshjet që kanë jo vetëm për pika të ndryshme të paketës së ndryshimeve kushtetuese, por edhe për mënyrën sesi do të procedohet në gjetjen e konsensusit.

Kështu, mazhoranca këmbëngul që komisioni i reformës dhe ekspertët e tij të mund të nisin hartimin e draftit ligjor për ndryshimet kushtetuese me ato çështje për të cilat palët nuk kanë dallime në qëndrime dhe për të gjitha çështjet që do të veçohen si problematike të mund t’i dërgohen për mendim dhe interpretim përfundimtar misioneve të EURALIUS dhe OPDAT.

Të majtët janë shprehur të gatshëm që këtë mendim të këtyre misioneve ta marrin dhe ta përfshijnë më pas ashtu siç është në projektligjin që do të hartohet.

Kjo është shprehur si nga ana e kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ashtu edhe nga ana e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

Nga ana tjetër, opozita pasi paraqiti 11 çështje që kërkojnë zgjidhje pas ardhjes së opinionit të ndërmjetëm të Komisionit të Venecias ka kërkuar që ato të zgjidhen nëpërmjet një dialogu politik të nivelit të lartë.

Pra duket se diferencat që i mbajnë larg palët në këtë diskutim është mënyra e implementimit të opinionit të Komisionit të Venecias sesa çështjet konkrete që për muaj të tërë shkaktuan edhe debat mes palëve dhe kanë të bëjnë kryesisht me 2/3 e votave për votimin e gjyqtarëve kushtetues, roli dhe varësia e Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo edhe mandati i kryeprokurorit aktual Adriatik Llalla.

Gjithsesi, pavarësisht këtyre qëndrimeve, mësohet se çështjen e ka marrë në dorë ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin.

Burime nga të dyja palët kanë bërë me dije se zgjidhja pritet të vijë pikërisht nga angazhimi direkt i ambasadorit Lu në negocimin mes palëve për të gjetur rrugën sesi do të procedohet më tej deri në hartimin e projektligjit final të ndryshimeve kushtetuese si pjesë e Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu bëhet e ditur se pjesë e këtij procesi janë bërë edhe ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, të cilët do të japin edhe vlerësimin teknik dhe të paanshëm të çështjes.

Pak ditë më parë të dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin si pjesë e këtij misioni negociues takuan edhe kryetarin e Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ku dhe biseduan në lidhje me rrugën më të mirë që duhet ndjekur për finalizimin e kësaj çështje.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Venecias ka udhëtuar drejt Komisionit të Venecias ku ka takuar drejtuesit e tij dhe ku çështja e Reformës në Drejtësi ka qenë po ashtu pjesë e diskutimeve mes tyre.

Ndërkohë që vetëm disa ditë më parë Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për Reformën në Drejtësi ndërsa në njoftimin e vet do të theksonte se “Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”. /Mapo/Telegrafi/