LAJMI I FUNDIT:

Referendumi në Britani, Draghi: Të gatshëm për çdo skenar

Referendumi në Britani, Draghi: Të gatshëm për çdo skenar

Banka Qendrore Evropiane është e gatshme për të përballuar çdo situatë. Garancia vjen nga kreu i saj Mario Draghi 48 orë para se britanikët t’iu drejtohen kutive të votimit për të vendosur qëndrimin ose largimin nga Bashkimi Evropian.

Tregjet globale u forcuan pas sondazheve të fundit që treguan një rritje të kampit pro qëndrimit.


Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, ka deklaruar se Banka Qendrore evropiane është e gatshme të përballet me të gjithë skenarët e mundshëm pas referendumit të 23 qershorit, i cili do të vendosë nëse Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë apo do të largohet nga Bashkimi Evropian.

“Do të ishte e vështirë dhe njëkohësisht spekulim të parashikojmë rezultatin. Kështu që më lejoni të them se ne po përpiqemi të jemi gati të përballemi me çdo të papritur. Në këtë pikë do të ishte shumë e vështirë të ishim më të saktë se kaq. Mendoj se kemi përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme”.

Duke folur në Parlamentin Evropian, Draghi shtoi se rimëkëmbja e zonës euro ka siguruar një hap përpara që nga fillimi i vitit dhe pritet që të vijojë me hapa të moderuar, por konstante, e mbështetur nga një kërkesë e brendshme solide dhe nga një aplikim i politikave të duhura në ekonominë reale.

Britanikët do t’iu drejtohen të enjten qendrave të votimit në referendumin që do të përcaktojë të ardhmen e vendit, por që pritet të ketë një ndikim të madh në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

Tregjet globale u forcuan pas sondazheve të fundit që treguan një rritje të kampit pro qëndrimit, por një sondazh i tretë tregoi se kampi pro largimit po fiton një avantazh të lehtë.