LAJMI I FUNDIT:

Reçica: Vetëm për dy muaj 40 vendpunishteve u është ndërprerë puna

Reçica: Vetëm për dy muaj 40 vendpunishteve u është ndërprerë puna

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se vetëm për dy muaj të këtij viti, kur edhe kanë filluar punimet, 40 vend-punishteve u është ndërprerë puna, që sipa tij, të njëjtat nuk kanë zbatuar kriteret që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë.

Reçica, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se për të pasur një ambient të sigurtë në punë, ministria që ai drejton ka ndërmarrë një sërë masash, si legjislative, ashtu vetdijësuese e inspektuese.


“U kemi kërkuar punëdhënësve dhe punëmarrësve zbatimin e standardeve minimale për sigurinë dhe shëndetin e punës. Meqenëse këto forma dhe fushata nuk dhanë efektin e tyre, në muajin tetor dhe nëntor të vitit të kaluar kemi ndërmarrë një fushatë inspektimi në sektorin e ndërtimit të lartë në disa qytete të Republikës së Kosovës, ku është cilësuar se është shkalla më e lartë e inspektimit, si në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan. Të gjitha vend-punishtet të cilat nuk kanë plotësuar standardet për sigurinë dhe shëndetin në punë iu është ndërprerë puna. Kanë qenë mbi 100 vend-punishte që brenda javës ju është ndërprerë puna, për shkak të moszbatimit të kritereve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndeti në punë”, tha ai.

Ai ka thënë se vetëm për dy muajt e parë, sivjet, mbi 40 vend-punishteve u është ndërprerë puna./kp/