“Po na kufizohet çdo gjë”, çmimi i naftës arrin sërish 1.50 euro, reagojnë qytetarët


Vazhdon shtrenjtimi i karburanteve sërish. Sot çmimi i naftës ka arritur në vlerën prej 1.50 euro centë për një litër, çmim ky maksimal i përcaktuar për sot nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ky shtrenjtim, për qytetarët po është i papërballueshëm dhe një shpenzim më shumë. Derisa më 25 qershor, çmimi i naftës në vendin tonë pati rënë në 1.36 euro-centë për litër.
Qytetari njëherësh kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës të kontrollojnë rritjen e këtyre çmimeve.
Hykolli për KosovaPress vlerësoi se rritja e çmimit të naftës po e rëndon edhe më shumë buxhetin e qytetarëve, duke kufizuar sidomos lëvizjen e tyre. Ai u bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve socialë që të trajtojnë me urgjencë këtë situatë, pasi, sipas tij, çmimet janë bërë të papërballueshme për qytetarët.
"Rritja e naftës sot është një shpenzim plus për ne si qytetarë të Kosovës. Domethënë na kufizohet çdo gjë; udhëtimi, kryesisht. Qeveria e Kosovës edhe partnerët socialë duhet patjetër që ta shikojnë këtë, këtë ngritje të çmimit, sepse është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës", tha Hykolli.
Ndërsa Ilir Brajshorii po i duhet t'i reduktojë udhëtimet në përditshmëri shkak i këtyre çmimeve.
"Po, po, shumë gjëra po i heqim, a po dëgjon? Se ndonjëherë po duhet, se s'po mundesh me ia dalë, po kupton, me këtë rrogë, a din?", tha Brajshori.
E sipas Shpend Gjinajt, qytetarët po e kanë të domosdoshme t'i përballojnë këto situata.
"Qytetarët po e përballojnë, dashte s'dashte, jemi të detyruar... Qeveria të punojë më shumë", tha Gjinaj.
Gjatë muajve të fundit, çmimi i derivateve është rritur dhe kjo ka vështirësuar jetën e përditshme të qytetarëve.
Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar çmimet maksimale të derivateve për ditën e sotme.
Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës për sot është 1.50 euro-cent për litër, çmimi i benzinës është 1.39 euro-cent për litër, ndërsa i gazit 0.61 cent për litër.
Çmimi për naftën është shtrenjtuar për 1 cent krahasuar me çmimin sa ishte dje 1.43 euro-centë, përcjell KosovaPress. Derisa më 25 qershor, çmimi i naftës pati rënë në 1.36 euro-centë.
Lufta filloi me sulmet amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin më 28 shkurt, duke e shtyrë Iranin të sulmonte Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik - si dhe duke mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe transporti për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm në botë.
Si rrjedhojë e konfliktit të nisur më 28 shkurt në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në Kosovë kishin arritur deri 1.91 euro – centë për litër.


































