Në këtë fazë të sezonit, konsiderohet pothuajse e sigurt që Real Madridi do të jetë në kërkim të një trajneri të ri në fund të edicionit.

Alvaro Arbeloa ka arritur të bindë skuadrën e parë që nga momenti kur zëvendësoi Xabi Alonso, por dështimi për të fituar Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit, si dhe rënia në garën për titullin në La Liga, pritet të bëjnë që kontrata e tij të mos rinovohet.


Drejtuesit e klubit madrilen kanë nisur tashmë të shqyrtojnë alternativat për stolin, me emra të njohur si Jurgen Klopp, Mauricio Pochettino dhe Didier Deschamps që janë lidhur me këtë post në muajt e fundit.

Megjithatë, ekziston mundësia reale që të tre këta trajnerë të refuzojnë ofertën për të drejtuar në “Santiago Bernabeu”, çka mund të hapë rrugën për rikthimin e një figure të njohur për klubin.

Fillimisht, drejtuesit e Real Madridit kishin përjashtuar mundësinë e rikthimit të Jose Mourinho për një mandat të dytë, por sipas raportimeve të fundit nga mediat spanjolle, presidenti Florentino Perez po bëhet gjithnjë e më i hapur ndaj kësaj ideje.

Trajneri portugez ka mundësinë të largohet nga Benfica në fund të sezonit pa kosto dhe ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij.

Një rikthim në Madrid, ku ai gëzon ende respekt të madh nga drejtuesit e klubit, mund të jetë një tundim i fortë, sidomos duke pasur parasysh se konsiderohet se ka ende “punë të papërfunduar” në kryeqytetin spanjoll.

Deri në këtë moment, nuk ka pasur kontakte zyrtare mes Real Madridit dhe Mourinhos apo përfaqësuesve të tij, por kjo situatë mund të ndryshojë me afrimin e verës.

Gjithçka pritet të varet nga vendimi përfundimtar që do të merret për vazhdimësinë e Arbeloas.

Një rikthim i Mourinhos do të sillte padyshim një impuls të ri në dhomat e zhveshjes së Real Madridi, të cilat kanë nevojë për motivim pas dy sezoneve zhgënjyese radhazi.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky skenar do të konkretizohet në muajt në vijim. /Telegrafi/

telegrafi sport app