“Real Madridi nuk është për të gjithë”, Bernardo Silva me pritshmëri të mëdha te gjiganti madrilen

Bernardo Silva ka deklaruar se të luash për Real Madridin “nuk është për të gjithë”, pasi mesfushori portugez u prezantua të mërkurën si përforcimi më i ri i 15 herë kampionëve të Evropës.
31-vjeçari iu bashkua Real Madridit nga Manchester City si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me klubin anglez skadoi gjatë kësaj vere.
Silva u shpreh krenar për transferimin te klubi më i suksesshëm në historinë e Ligës së Kampionëve, duke theksuar ndikimin që pati momenti kur pa trofetë e fituar nga madrilenët në Santiago Bernabeu.
“Kam luajtur disa herë në Bernabeu. Kur arrin aty dhe sheh 15 trofetë e Ligës së Kampionëve që shfaqen, është diçka shumë imponuese dhe fakti që i kam tani këtu është shumë i veçantë”.
“Të luash për një klub që ka 15 tituj të Ligës së Kampionëve nuk është për të gjithë. Jam shumë krenar dhe tani do të jap gjithçka për këtë klub”, deklaroi Silva për Real Madrid TV.

Silva do të ketë mundësinë të luajë nën drejtimin e Jose Mourinhos, i cili është rikthyer në stolin e Real Madridit.
Ndërkohë, ish-bashkëlojtari i Silvas te Manchester City, Rodri, iu bashkua Barcelonës të martën, pasi më herët ishte lidhur edhe me një transferim te Real Madridi.
Mourinho kishte konfirmuar se kishte biseduar me Rodrin gjatë verës dhe se Real Madridi i kishte bërë atij një ofertë të mirë.
“Kam folur me të disa herë dhe Real Madridi i bëri një ofertë shumë të mirë”.
“Rodri kishte dyshime... dhe dyshimet e Rodrit krijuan dyshime edhe tek unë”.
“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ishte shumë profesionist me ne. Nuk kam asgjë negative për të thënë. Por Real Madridi është një klub me një përmasë të tillë që nuk mund të ketë lojtarë që mendojnë dy herë për të”, kishte deklaruar Mourinho për emisionin televiziv spanjoll El Chiringuito./Telegrafi/










































