Raporti i “Ec Ma Ndryshe”: Prishtina pa buxhet për mbrojtje të mjedisit në vitin e kaluar, mungon monitorimi komunal i ujit dhe i dheut

Organizata “Ec Ma Ndryshe” ka publikuar “Raportin e Monitorimit të Sektorit të Mjedisit në Komunën e Prishtinës – 2025”, i cili paraqet një analizë të gjendjes së sektorit të mjedisit në kryeqytet, duke vlerësuar kapacitetet institucionale, zbatimin e kornizës ligjore, menaxhimin e mbeturinave, monitorimin mjedisor dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje.
Në raport thuhet se në Komunën e Prishtinës strukturat kryesore të përfshira në menaxhimin mjedisor janë Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria për Menaxhimin e Hapësirave Publike dhe Parqeve, si dhe Drejtoria e Urbanizmit. Sipas raportit, numri i stafit nuk vlerësohet i mjaftueshëm për përmbushjen e detyrave të përcaktuara me kornizën ligjore, ndërsa shpërndarja e përgjegjësive ndërmjet drejtorive mund të ndikojë në koordinimin dhe efikasitetin.
Sa i përket kornizës ligjore dhe planifikimit, raporti vlerëson se ajo është pjesërisht e konsoliduar, por janë identifikuar mangësi që lidhen edhe me vjetërsimin e disa ligjeve. Në dokument listohen disa plane komunale ekzistuese, si rregullorja për planifikim mjedisor, plani lokal i veprimit për cilësinë e ajrit, plani komunal për menaxhimin e mbeturinave, plani komunal për efiçiencë të energjisë dhe plani komunal për energji dhe klimë.
Megjithatë, në raport theksohet se komuna nuk ka plan për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, as program lokal për mbrojtjen e natyrës, ndërsa thuhet edhe se “Komuna nuk ka ndarë buxhet për mbrojtje të mjedisit gjatë vitit të shkuar”.
Raporti sjell edhe të dhëna për menaxhimin e mbeturinave, duke përdorur statistikat e vitit 2024. Sipas dokumentit, numri i banorëve të shërbyer është 280,822 (rënie nga 368,284 në vitin 2023), ndërsa sasia e mbeturinave është 81,797 ton në vit. Gjenerimi i mbeturinave vlerësohet 291.28 kilogramë për banor në vit (0.80 kg/banor/ditë), ndërsa shkalla e mbulimit me shërbim raportohet 100 për qind. Në raport thuhet se gjendja e deponive monitorohet në mënyrë sistematike dhe se komuna është në fazën e sigurimit të lejes mjedisore komunale për deponinë e mbeturinave të vëllimshme.
Në pjesën për monitorimin e mjedisit, raporti vëren se për cilësinë e ajrit ekziston monitorim përmes Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), me dy stacione funksionale në territorin e komunës. Ndërkaq, sipas raportit, komuna nuk posedon sistem për monitorimin e cilësisë së dheut, ndërsa “nuk ekziston sistem i monitorimit të cilësisë së ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore në nivel komunal”, meqë monitorimi realizohet nga “KRU Prishtina”. Dokumenti thekson po ashtu se nuk ka sistem të strukturuar për menaxhimin e të dhënave mjedisore.
Në raport vlerësohet se bashkëpunimi me organizatat joqeveritare është në nivel të lartë, ndërsa bashkëpunimi me nivelin qendror dhe pjesëmarrja publike vlerësohen në nivel mesatar. Sipas dokumentit, konsultimet publike përfshijnë Planin Zhvillimor Komunal dhe vlerësimet strategjike mjedisore.
Në aspektin e licencimit, raporti thekson se komuna posedon gjithsej 95 leje mjedisore komunale aktive.
Në përfundime, raporti vlerëson se ekziston një bazë institucionale e zhvilluar, por se koordinimi mbetet sfidë, derisa mungesa e monitorimit të integruar të ujit dhe dheut dhe mungesa e menaxhimit të të dhënave paraqesin pengesë për planifikim. Raporti jep edhe rekomandime, përfshirë forcimin e koordinimit ndërmjet drejtorive, zhvillimin e dokumenteve strategjike mjedisore, krijimin e një sistemi të integruar monitorimi për ajrin, ujin dhe dheun, si dhe rritjen e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve.
Raporti i plotë është i publikuar në linkun: https://www.ecmandryshe.org/repository/docs/prishtine.pdf /Telegrafi/



















































