Deponia ilegale me mbeturina inerte dhe ndërtimore, e raportuar disa ditë më parë nga Telegrafi në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë, ka filluar të largohet.

Pas kontaktit të Telegrafit me Komunën e Prishtinës lidhur me grumbullimin e përsëritur të mbetjeve në këtë zonë të frekuentuar në qendër të qytetit, në terren janë vërejtur intervenime për pastrimin dhe largimin e mbeturinave, ndërsa Drejtoria për Shërbime Publike duket se ka marrë parasysh shqetësimet e ngritura përmes raportimit.


Telegrafi kishte raportuar se në “Lakrishtë” po hidhen në mënyrë të vazhdueshme mbeturina inerte dhe ndërtimore, duke krijuar një deponi të improvizuar, e cila sipas banorëve po ndikonte negativisht në mjedis, higjienë dhe imazhin urban të qytetit.

Komuna e Prishtinës, ndërkohë, ka theksuar se për menaxhimin e mbeturinave voluminoze dhe inerte është lansuar edhe platforma online “mbeturinat.com”, e cila synon të lehtësojë raportimin dhe largimin e këtij lloji të mbetjeve.

Banorët e zonës kishin kërkuar ndërhyrje të shpejtë dhe masa konkrete për të parandaluar hedhjen e mëtejme të mbeturinave, ndërsa pritet që përveç pastrimit, të merren edhe masa për parandalimin e rikrijimit të deponisë ilegale në këtë hapësirë. /Telegrafi/