Raketat ukrainase "Flamingo" godasin fabrikën strategjike ruse në Volgograd


Raketat ukrainase Flamingo FP-5 goditën fabrikën ushtarake ruse Titan-Barrikades në qytetin Volgograd, një ndër objektet më të rëndësishme të kompleksit ushtarako-industrial rus.
Sulmi ndaj fabrikës vjen në kuadër të përpjekjeve të Ukrainës për të goditur objektet e industrisë ruse të mbrojtjes dhe për të kufizuar kapacitetet e prodhimit të armëve që përdoren në luftën kundër saj.
"Çdo objekt rus i mbrojtjes që i shërben luftës kundër Ukrainës është një objektiv i ligjshëm për sanksionet tona afatgjata", shkroi në rrjetet sociale presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Fabrika është e specializuar në prodhimin e pajisjeve për raketa dhe artileri, përfshirë raketahedhës, sisteme të rënda ushtarake dhe komponentë për disa prej sistemeve më të avancuara raketore të Rusisë.
Sipas raportimeve, impianti prodhon dhe zhvillon elementë për sistemet raketore Iskander-M, raketat strategjike Yars dhe Topol-M, të cilat janë pjesë e arsenalit raketor të Rusisë. Fabrika lidhet gjithashtu me prodhimin e platformave lëvizëse dhe pajisjeve tokësore që përdoren për vendosjen dhe transportimin e raketave.
Titan-Barrikades ka një histori të gjatë që daton që nga fillimi i shekullit XX dhe ka qenë për dekada një nga ndërmarrjet kryesore të industrisë së rëndë ushtarake sovjetike dhe më pas ruse. Gjatë periudhës sovjetike, fabrika u përfshi në prodhimin e sistemeve të artilerisë dhe më vonë u orientua gjithnjë e më shumë drejt teknologjive raketore dhe pajisjeve për raketa balistike.
Objekti në Volgograd konsiderohet me rëndësi strategjike sepse furnizon ushtrinë ruse me pajisje që lidhen drejtpërdrejt me kapacitetet e saj raketore. Për shkak të rolit të tij në industrinë e mbrojtjes, kompania është përfshirë në listat e sanksioneve ndërkombëtare. /Telegrafi/



































