LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët dhe shoqëria civile: Jo gjithmonë i sigurojmë të dhënat dhe dokumentet e duhura nga institucionet e Kosovës

Qytetarët dhe shoqëria civile: Jo gjithmonë i sigurojmë të dhënat dhe dokumentet e duhura nga institucionet e Kosovës

Edhe pse në Kosovë ekziston Ligji mbi Qasjen e Dokumenteve Publike, qytetarët dhe shoqëria civile thonë se vazhdojnë të hasin vështirësi në sigurimin e të dhënave.

Sipas tyre, përveç vështirësive për sigurimin e tyre, është edhe mungesa e dokumenteve të duhura që kërkohen nga ata.

Ata thonë se, jo gjithmonë i sigurojmë të dhënat e kërkuara nga institucionet e Kosovës.

Hulumtuesi në Institutin për Politika Zhvillimore, Dardan Abazi, tha për Telegrafin se e drejta e qasjes në dokumente zyrtare është duke u respektuar, por sipas tij, qasja nuk është në nivelin e dëshiruar.

“Në princip e drejta e qasjes në dokumente zyrtare po respektohet në Kosovë, por problemin që ne hasim është se jo gjithmonë të kemi qasje ashtu siç dëshirojmë. Qeveria nuk është se nuk përzgjedh se çfarë të shohim, në princip e zbatojnë Ligjin mbi Qasjen e Dokumenteve por jo edhe në dokumente kyçe siç kemi të bëjmë me kontratat e mëdha publike, që nuk na janë dhënë ashtu siç kemi kërkuar dhe pastaj na është dashur që t’i padisim nëpër gjykatat dhe t’i fitojmë rastet në mënyrë që t’i bëjmë presion Qeverisë që t’i liroj këto dokumente”, tha Abazi.

Ai tregon se, për dokumentet që janë në interes publik, e ku bëhet fjalë për shuma të mëdha, qasje në këto është i pamundur.

Abazi shton se për këto lloje të dokumenteve, ata ftohen që t’i shikojnë fizikisht, por pa pasur mundësi që t’i kopjojnë apo t’i fotografojnë.

“Ka dokumente kyçe të interesit publik, shumë tejet të mëdha të cilat nuk bëhen publike, ku për të cilat ftohemi që t’i shohim fizikisht mijëra faqe aty e nuk na lejohet që të marrim kopje apo t’i fotografojmë ato. Ka një përzgjedhje se çfarë të bëhet publike e çfarë jo. T’i fron organizatat e shoqërisë civile që t’i ekzaminojnë për një kohë të kufizuar mijëra faqe të kontratave që kanë ndikim miliarda euro në buxhetin e Kosovës, nuk është realizimi i drejt në qasjen e dokumenteve zyrtare, por është thjeshtë një tentative për ta mbuluar faktin që këto dokumente të moszbulohen”, shton ai.

Sipas Abazit, presioni politikë po e pamundëson që këto dokumente të bëhen publike.

“Aty ku stafi civil ka qasje në dokumente zyrtare, asnjëherë nuk hasim vështirësi, mirëpo ka raste që nga presioni politikë, ky staf civil ka qenë në pozicion të vështirë që t’i mos i bëjnë ato publike”, thotë Abazi.

Në lidhje me dallimet e Ligjit të ri mbi Qasjen e Dokumenteve Publike, hulumtuesi në INDEP, thotë se nuk kanë vërejtur ndonjë ndryshim, për faktin se gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, shumë institucione kanë punuar me kapacitete të kufizuara.

“Në përgjithësi nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në Ligjin e ri e Qasjes në Dokumente, për çka se tani kemi qenë të izoluar nga pandemia COVID-19 dhe institucionet janë duke punuar në kapacitet të kufizuar. Edhe kjo është një arsyetim shtesë që t’i jepet institucioneve që të mos lëvizin në mënyrën më të shpejtë të mundshme, por në anën tjetër është e kuptueshme se janë duke punuar me kapacitete jo të plota”, ka përfunduar Abazi.

Edhe për studentin e nivelit Master në Fakultetin e Ekonomisë të Unviversitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Florentin Muçolli, qasja në të dhënat që ai i ka kërkuar nga disa institucione ka qenë i vështirë.

Muçolli për Telegrafin tha se, edhe nëse është kthyer përgjigjja nuk ka qenë e plotë, apo e duhura.

“Gjatë periudhës së studimit, kam pasur nevojë për disa dokumente për nevoja studimore. Nuk kam pasur njohuri që ekziston Ligji mbi Qasjen në Dokumentet Publike, por kur kam dërguar në institucione e-mail për ndonjë të dhënë, nuk më është kthyer ashtu siç e kam kërkuar”, tha Muçolli.

Ai thotë se, edhe kur ka kërkuar të dhëna në faqet e këtyre institucioneve, nuk i ka gjetur ato të duhurat.

“Shpesh kam kërkuar edhe në webfaqet e disa institucioneve që të sigurojë ndonjë të dhënë, por edhe aty nuk kam gjetur atë se çfarë kam kërkuar. E kam vërejtur se shumë nga këto institucione nuk i kanë të përditësuara faqet e tyre”, thotë ai.

Sipas Muçollit, besimi në institucionet vendore varet në transparencën e tyre karshi qytetarit.

“Është mjaftë sfiduese, për një qytetarë të Kosovës që t’i sigurojë të dhënat e duhura. Sa më shumë të dhëna që ofrohen nga institucionet, unë besoj që rritet besimi te ato”, përfundon ai.

Ligji mbi Qasjen në Dokumente Publike garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në këto dokumente, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Ky Ligj zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi.

Neni 4 i këtij Ligji, thotë se hapja e të dhënave dhe transparenca në sektorin publik shërben për llogaridhënie ndaj publikut, për zhvillimin dhe avancimin shoqëror, ekonomik dhe demokratik.

Në kuadër të publikimit të dokumenteve publike, institucionet publike detyrohen të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, përmes publikimit në ueb faqen zyrtare të institucioneve publike, pavarësisht kërkesës së personit për qasje.

Pra, këto institucione detyrohen të publikojnë, në mënyrë proaktive, çdo dokument publik, të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar nga to, menjëherë pasi dokumentet e tilla të jenë bërë të gatshme për publikim. /Telegrafi/

Ky artikull është shkruar nga Telegrafi.com në kuadër të projektit Open Goverment Data Ecosystems, financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe zbatohet nga Open Data Kosovo. Ky artikull nuk reflekton pikëpamjet dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane.