Qumësht apo pije freskuese?


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës ka konstatuar se Sole është pije freskuese e jo qumësht. Por, në kompaninë Koral-Sole, që e importojnë këtë produkt nga Hungaria, thonë të kundërtën dhe se në asnjë mënyrë ky produkt nuk mund të klasifikohet si pije freskuese.
AUV shpjegon se në atë kohë ka bërë ndalesën e produktit të emërtuar dhe deklaruar si “Pije Qumështi” (pije me baze qumështi të trajtuar termikisht dhe me yndyrë bimore) për arsye të mospërmbushjes së kritereve të rregulloreve lidhur me deklarimin e produkteve ushqimore të cilat ndër të tjerash rregullojnë edhe mbrojtjen e konsumatorit nga mashtrimet në emërtimin e produkteve, shkruan “Express”.
Me referimin nga autoriteti kompetent i Hungarisë është bërë ndalesa e produktit të deklaruar si “Pije Qumështi” deri në përmirësimin e mangësive, zëvendësimit të yndyrës bimore me atë shtazore, deklarimit korrekt, pra jo “pije qumështi”, por “pije” në ambalazhin e tij si dhe deklarimi i përbërësve të tjerë.
Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV, thekson se pas ndalesës, prodhuesit hungarezë kanë ndërmarrë masat e duhura për të bërë ndryshimet e kërkuara dhe produkti tani është lejuar për import si produkt me përbërje të qumështit.
“Pra, tani është shumë e qartë, ai produkt është pije dhe me deklaracion është i shënuar si pije dhe nuk duhet ngatërruar apo blerë si UHT qumësht. Ndërsa, ‘pije’ konsiderohet si pije freskuese apo shtesë e kafesë e jo si ushqim”, thotë Thaçi.
Nëse shitet si qumësht, sipas tij, konsiderohet mashtrim i konsumatorit.
Ndërkaq, drejtori i kompanisë Koral-Sole, Naser Rusinovci, kompani kjo e cila e importon Solen nga Hungaria, thotë se në asnjë mënyrë ky produkt nuk mund të klasifikohet si pije freskuese.
“Sole është qumësht. Me të gjitha konventat, me të gjitha direktivat, me të gjitha rregulloret klasifikohet në bazë të sistemit unik të klasifikimit të artikujve në familjen e qumështit”, thotë Rusinovci.
Arsye pse është quajtur pije qumështi e jo qumësht, sipas tij, është se përveç yndyrës shtazore, ka përmbajtur edhe yndyrë bimore.
“Dhe ajo materie është ndaluar në qershor të vitit 2012 në Unionin Evropian. Qumësht nuk mundet me u trajtu ma ose me u emërtu nëse e ka atë materie të botës bimore”, thekon Rusinovci.
Sipas tij, ky telash është evituar dhe me kërkesë të kompanisë së tij, janë bërë ndryshime në përmbajtjen e Soles në kompaninë prodhuese në Hungari.
Pavarësisht se ky qumësht shitet pa problem në Hungari, Holandë e Rumani, me yndyrë bimore, ai thotë se për Kosovë e kanë ndryshuar përmbajtjen.
Ai tregon se edhe të dhënat e doganës, në bazë të dokumentacioneve me të cilat është importuar ky produkt tregojnë se Sole është regjistruar në kategorinë ku bëjnë pjesë produkte të familjes së qumështit dhe si i tillë është doganuar.
Megjithatë, brenda tregut të Kosovës AUVK-së thotë se ky produkt duhet të ndahet veç nga kjo familje për të mos i hutuar konsumatorët. /Telegrafi/









































