LAJMI I FUNDIT:

Qeveria Haradinaj thotë se kanë marrë 600 vendime në favor të zhvillimi të vendit

Qeveria Haradinaj thotë se kanë marrë 600 vendime në favor të zhvillimi të vendit

Në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës është prezantuar raporti i punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën shtator 2017 – korrik 2018, ku është vlerësuar se gjatë kësaj periudhe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë  mbi 600 vendime.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se ky është dyfishi i numrit të çdo qeverie për një periudhë të tillë kohore dhe vendime këto që drejtpërdrejt ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarit të Kosovës.


“Gjatë periudhës raportuese, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar këto akte juridike: 75 projektligje të miratuara në mbledhjen e Qeverisë; 30 akte nënligjore të miratuara në Mbledhjen e Qeverisë dhe 91 akte nënligjore të nxjerra nga Ministrat në kuadër të fushëveprimit të tyre”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se ky raport dëshmon për një dinamikë të punës së Qeverisë, që është më e madhja nga funksionimi i të gjitha qeverive të deritashme të Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, në pajtim me përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dhënë mendimin lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familje. Projektligji është iniciuar nga Komisioni për Legjislacion, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ministria e Drejtësisë ka dhënë opinionin se çështjet që adresohen në këtë projektligj janë adresuar në Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës i cili planifikohet të miratohet nga Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit, andaj konsiderohet se kjo iniciativë për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Familjen, në këtë kohë nuk është e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar projektligjet për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët” dhe për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në ‘ERASMUS+’, program i Bashkimit Evropian për arsim, trajnime, rini dhe sport.

Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria ka miratuar Rregulloren për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

“Miratimin nga Qeveria e ka marr vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit në Pikën Kufitare Mutivodë, zona kadastrale Dabishevc e Komunës së Prishtinës. Është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim  për interes publik të pronave të paluajtshme (ish shoqërore, KBI ‘’Ereniku’’)  të pronarëve  dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i  Projektit – Ndërtimi i ‘’Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane’’  Zona Kadastrale Gjakovë, Komuna Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka ndarë 45 mijë e 100 euro për zbatimin e Projektit për “Përmirësimin racor të gjedhit dhe rritjen e vetive prodhuese të lopëve qumështore në fermat e Kosovës”. Implementimin e projektit do ta bëjnë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, OJQ Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës dhe Qendra Gjenetike/ Iowa State University, të cilat kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për implementimin e këtij projekti.

Qeveria në këtë mbledhje po ashtu ka emëruar Nenad Stojqetoviqin sekretar të përgjithshëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, dhe Nezir Gashin drejtor të përgjithshëm në Agjencinë e Pronësisë Industriale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Qeveria e Kosovës është informuar nga Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për lansimin e Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian

Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete shtesë për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe mjete të tjera financiare për të mbështetur realizimin e projektit “Ngritja e monumentit kushtuar Dëshmorit të Kombit, Artim Jashari”. /Telegrafi/