LAJMI I FUNDIT:

Putini tashmë është në luftë me Evropën, është vetëm një mënyrë për ta ndalur

Putini tashmë është në luftë me Evropën, është vetëm një mënyrë për ta ndalur

Nga: Simon Tisdall / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Koha për t’u zgjuar dhe për ta nuhatur korditin. Sikurse valët e goditjes nga një raketë shpërthyese, lufta e Vladimir Putinit në skaj të Evropës me shpejtësi po rrotullohet drejt Perëndimit, duke shpërthyer rrugën nëpër dyert e përparme të shtëpive, të bizneseve dhe të vendeve të punës – që nga Berlini e deri në Birmingem. Rrezatimi i saj po mbjell shi toksik të paqëndrueshmërisë, të vështirësive dhe të frikës.

Gjithmonë ka qenë absurde ideja se konflikti i Ukrainës mund të kufizohet në Ukrainë – mashtrimi i madh politik që i përshtatet NATO-s – dhe se sanksionet perëndimore dhe furnizimet me armë do t’i ndalin rusët. Tashti, i tërbuar nga rezistenca kokëforte e Kievit dhe i vendosur me çdo kusht për t’i ndëshkuar ndëshkuesit e vet, qëllimi i Putinit është poshtërimi i Evropës.


Duke shndërruar energjinë, ushqimin, refugjatët dhe informacionin në armë, lideri rus përhap dhimbje ekonomike dhe politike, duke i krijuar për të gjithë kushtet e luftës. Po afrohet një dimër i gjatë, i ftohtë dhe i mbushur me fatkeqësi evropiane, me mungesë energjie dhe me trazira. Dhe, si një matës gazi që punon me monedha, për çdo orë po rritet çmimi i ndrojtjes dhe dritëshkurtësisë së liderëve perëndimorë.

Operacionet e destabilizuese të Rusisë, manipulimi i mediave sociale, sulmet kibernetike, bisedat e dyfishta diplomatike, shantazhi bërthamor, plus masakra e pandërprerë e civilëve në Ukrainë, në muajt në vijim vetëm sa do të intensifikojnë gjendjen e rrethimit të Evropës. Po avullohet shpejt besimi fantastik i Perëndimit se mund ta shmangte përshkallëzimin në mbarë kontinentin.

Megjithëse jo krejtësisht për shkak të luftës së Putinit, Evropa tashti po përballet me sfidat themelore që janë të mëdha ose më të mëdha se kriza financiare e vitit 2008, Brexit-i ose pandemia. Megjithatë, shumë politikanë të BE-së dhe të Britanisë së Madhe turpshëm këtë e mohojnë. Nëse, siç parashikohej, gazi ndalon së rrjedhuri dhe dritat zbehen, nuk do të jetë kjo vetëm çështje e fabrikave të mbyllura, e punëve të humbura dhe e tregjeve në krizë.

Pensionistët e ngrirë, fëmijët e uritur, raftet bosh të supermarketeve, rritja e kostos së papërballueshme të jetesës, pagat e zhvlerësuara, grevat dhe protestat në rrugë tregojnë për një shkrirje të stilit të Shri Lankës. Ekzagjerim? Në të vërtetë jo. Bymimi i nxitur nga e djathta ekstreme e admiruar nga Putini, tashmë po merr forcë në Greqi dhe në Itali, në Holandë dhe në Spanjë.

Gjithashtu, në perspektivë është një thyerje e solidaritetit të BE-së meqë qeveritë kombëtare konkurrojnë për burime të pakta. Brukseli këtë javë do ta publikojë një “plan gatishmërie dimërore”. Por, dispozitat e tij janë të paqarta dhe të pazbatueshme. Konteksti më i gjerë është mungesa e një politike energjetike të miratuar dhe të zbatuar nga mbarë BE-ja.

Pavarësisht premtimeve të bashkëpunimit dypalësh, ndërprerja totale ruse mund ta vë shtetin kundër shtetit, t’i fryjë më tej çmimet dhe ta çajë koalicionin anti-Moskë. Në një skenar të tillë, Putini do të kërkonte lehtësimin e sanksioneve në këmbim të rifillimit të furnizimeve, ashtu siç ka bërë për drithin e bllokuar në Detin e Zi.

Gjermania e varur nga importi, tashmë po ndërmerr hapa të njëanshëm, duke kërkuar furnizues alternativë të naftës dhe të gazit. Një emergjencë kombëtare veproi shpejtë pasi të hënën e kaluar Moska e mbylli gazsjellësin Nord Stream I. Shumëkush në Berlin ka frikë (dhe disa ambientalistë shpresojnë) se mbyllja – dhe çdo racionim i mëvonshëm – mund të bëhet i përhershëm.

Zëvendëskancelari i Gjermanisë, Robert Habeck, publikisht shprehu mërzi për një “makth politik”. Bruno Le Maire, ministri i financave i Francës, javën e kaluar në mënyrë të ngjashme dukej në panik. Ai e parashikoi një ndërprerje të afërt të gazit. Duke tingëlluar si Napoleoni, u kërkoi vendeve evropiane ta formojnë “radhën e betejës”. Por, si në vitin 1812, Rusia e ka “Dimrin e madh”.

Sikur rritja e mjerimit te miliona njerëz të mos ishte sa duhet e frikshme, atëherë merrni gjithashtu parasysh ndikimet shkatërrimtare të luftës në përpjekjet për t’i luftuar krizat e klimës dhe të biodiversitetit. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë, objektivat zero ndotje duken se po e shtojnë rrezikun për t’u braktisur.

Për shkak se Evropa përballet me “konflikt dhe mosmarrëveshje shumë të mëdha” për këtë dimër për çmimet e energjisë, ajo duhet ta bëjë një kthim afatshkurtër te karburantet fosile, sugjeroi Frans Timmermans, nënkryetari i Komisionit Evropian. Edhe një herë, Gjermania po merr drejtim duke e rritur prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet me qymyr. Edhe një herë Perëndimi kërkon shpëtim nga sheikët tiranë të naftës nga Gjiri.

Një dimër evropian i kaosit mund të tensionojë gjithashtu lidhjet me ShBA-në. Për krahasim, rimëkëmbja e Amerikës – pas pandemisë – është më e avancuar, ekonomia e saj më elastike, energjia e saj kushton shumë më pak. Megjithatë, është udhëheqja tepër e kujdesshme e presidentit amerikan Joe Biden ndaj NATO-s ajo që e ka çuar Evropën në këtë ngërç gjeopolitik, edhe pse një euro e dobësuar po rrëshqet nën një dollar.

Për evropianët, derisa ata po rimësohen me koston e vet, të gjitha luftërat janë lokale. Për amerikanët, si gjithmonë, të gjitha luftërat janë të huaja.

Sanksionet, ndihma ekonomike dhe masat tjera joushtarake të preferuara nga Bideni, nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme për ta gjunjëzuar Putinin. Disa vëzhgues dyshojnë se një ngërç që ngadalë gjakos Rusinë, i përshtatet qëllimeve të SHBA-së, pavarësisht nga dëmi kolateral. Megjithatë, tani për tani është Putini ai që po e gjakos Evropën. Sanksionet janë kundërpërgjigje ose zbatohen keq. Arka e tij e energjisë po fryhet. Dhe, lë mënjanë këtu ukrainasit, dhimbja ndihet në mënyrë disproporcionale nga vendet më pak të pasura evropiane dhe ato në zhvillim. Teksa paqëndrueshmëria po rritet, divergjenca ShBA-Evropë do të ushqejë presionin për ta ndryshuar kursin.

Rruga e dukshme e shpëtimit është marrëveshja tokë për paqe me Putinin, e pajtuar mbi trupat e pajetë të Ukrainës. Ky lloj i shitjes së keqe ka shumë avokatë me ndikim. Nëse (dhe kjo është një “nëse” e madhe), Rusia do t’i kthehej biznesit si normalisht, kjo do t’i lehtësonte vuajtjet e Evropës – megjithëse ndoshta jo të Ukrainës.

Megjithatë, një marrëveshje e tillë do të ishte gjithashtu precedent katastrofe për paqen dhe për sigurinë e ardhshme në gjithë kontinentin, si dhe për botën. Mendoni vetëm për Tajvanin. Ose për Estoninë. Do ta shkatërronte integritetin sovran të Ukrainës demokratike.

Për fat të mirë, ekziston një alternativë: përdorimi i fuqisë dërrmuese të NATO-s për ta ndryshuar me vendosmëri valën ushtarake.

Siç kam thënë më parë këtu, veprimi i drejtpërdrejtë, me caqe, i fuqishëm perëndimor për të zmbrapsur turmën e neveritshme të Rusisë, nuk është votë për një Luftë të Tretë Botërore. Është e vetmja mënyrë e mundshme për ta sjellë këtë tmerr të përshkallëzuar në një përfundim të shpejtë, duke ia bërë me dije Putini, dhe atyre që mund ta imitojnë atë, se nuk do të përfitojnë nga masakrat e paligjshme.

Me qëllimin për të shkaktuar përçarje maksimale, Putini i kërcënon haptas qendrat e demokracisë evropiane. Shkrimi është në mur dhe nuk mund të injorohet më. Mjaft me gjysmë-masa dhe me ngurrime! NATO duhet të veprojë tani për t’i detyruar trupat plaçkitëse të Putinit të kthehen brenda kufijve të njohur të Rusisë.

Nuk është vetëm Ukraina ajo që duhet të ruhet. Është edhe Evropa. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori