LAJMI I FUNDIT:

Pushohen katër punëtorë të çerdhes në Misisipi pasi vendosën maska dhe i frikësuan fëmijët – pamjet janë bërë virale

Pushohen katër punëtorë të çerdhes në Misisipi pasi vendosën maska dhe i frikësuan fëmijët – pamjet janë bërë virale

Një çerdhe në Misisipi ka pushuar nga puna katër anëtarë të stafit pasi pamjet ku ata shihen me maska të frikshme dhe duke frikësuar fëmijët u bënë virale në rrjetet sociale.

Videot u filmuan nga një anëtar i stafit në Lil Blessings, një qendër e kujdesit ditor në Hamilton, Misisipi verilindor.


Fëmijët shumë të vegjël mund të shihen të ulur në një tavolinë derisa një i rritur i frikëson ata me arsyen se ata kanë pasur sjellje të keqe. Ai i bërtet fëmijëve dhe i ndjek nga pas. Fëmijët dridhen dhe vajtojnë nga frika dhe thërrasin prindërit e tyre.

Mbetet e paqartë se nga e kanë origjinën videot, por raportet tregojnë se ato janë postuar fillimisht në Facebook.

Prindërit janë krejtësisht të zemëruar me personelin e çerdhes për këtë shkelje të besimit dhe kërcënojnë me akuza penale. Tani, Departamenti i Shëndetit i Shtetit të Misisipit dhe Zyra e Sherifit të Qarkut Monroe po hetojnë këtë çështje.

Katër punëtorë u pushuan nga puna pasi pronarja e Lil’ Blessings, Sheila Sanders, u bombardua me ankesa. Sanders ka operuar çerdhen për më shumë se dy dekada.

Sipas raportimeve, pronarja mësoi për këto video vetëm të mërkurën, por të paktën njëra prej këtyre videove u filmua në shtator.

“Njerëzit që i bënë këto akte nuk janë më me ne. Ata u pushuan nga puna”, tha Sanders.

Njëra nga punonjëset e çerdhes që mund të shihet në video me maskë postoi gjithashtu një video 19-minutëshe ku kërkoi falje. /Telegrafi/