Punëtorët teknikë në shkollat e Prishtinës hyjnë në grevë nga sot, kërkojnë pagat e prillit

Shumica e punëtorëve teknikë në shkollat e Komunës së Prishtinës, të cilat menaxhohen nga kompani private, kanë hyrë në grevë nga mëngjesi i së martës, 19 maj, për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin prill.
Lajmi u bë i ditur nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), e cila të hënën njoftoi se punëtorët kishin mbajtur protestë në disa shkolla të kryeqytetit dhe kishin paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve sindikale.
Sipas sindikatës, protesta është mbajtur më 18 maj 2026, nga ora 11:00 deri në 12:00, ndërsa greva ka nisur sot, deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se punëtorët do të qëndrojnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave lidhur me pagesat e vonuara.
“Punëtorët do të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre lidhur me pagesat e vonuara”, thuhet në njoftim.
Në reagim thuhet po ashtu se në shkollën SHFMU “Asim Vokshi”, drejtoria nuk i ka lejuar punëtorët të prononcohen për media gjatë kohës së protestës.
FSPTSPK ka kërkuar zgjidhje urgjente të çështjes së pagave për punëtorët teknikë të angazhuar në shkollat e kryeqytetit. /Telegrafi/
















































