LAJMI I FUNDIT:

Punësim rekord në SHBA, papunësia gjatë muajit nëntor zbret në 3.5 për qind

Punësim rekord në SHBA, papunësia gjatë muajit nëntor zbret në 3.5 për qind
Foto: Ilustrim

Punësimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit nëntor është rritur me hapin më të shpejtë në dhjetë muaj e fundit, tregojnë të dhënat më të fundit nga Departamenti i Punës.

Ky është sinjali i radhës në serinë e atyre që tregojnë se ekonomia më e madhe e botës është shumë larg ngecjes.

Tregu i punës gjatë nëntorit ka marrë shtysë nga sektori shëndetësor, por edhe nga rikthimi në punë i punonjësve të General Motors pas një greve të tejzgjatur gjatë muajit tetor.

Kjo ka bërë që edhe norma e papunësisë t’i rikthehet shifrës rekord minimale të gjysmë shekullit të fundit. Edhe rritja e pagave rezulton të jetë ndër më të lartat e një dekade.

Kështu, punësimi në sektorin jo-bujqësor u rrit me 266 mijë persona gjatë muajit nëntor. Norma e papunësisë tashmë regjistrohet në 3.5 për qind, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë pranë punësimit të plotë.

Të gjitha këto shifra tregojnë se do të jenë konsumatorët ata që do të vijojnë zgjerimin më të madh ekonomik në histori, tashmë në vitin e 11-të. /Telegrafi/