LAJMI I FUNDIT:

Lëshohen në qarkullim pullat postare “Vaksinohu, shpëto jetë!”

Lëshohen në qarkullim pullat postare “Vaksinohu, shpëto jetë!”

Sot, Filatelia e Postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim pullat postare “Vaksinohu, shpëto jetë!”.

Me këtë rast, Posta e Kosovës duke iu falënderuar Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, promovoi me ceremoni këto pulla postare.


U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Fakete Kadiu, falënderoi përfaqësuesit të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për kontributin e tyre për dizajnimin dhe promovim e këtyre pullave postare, si dhe ministrinë e linjës dhe atë të Shëndetësisë.

Ajo plasoi mesazhin që bartin këto pulla postare në përkrahjen e vaksinimit në parandalimin e Covid-19, për ruajtjen e shëndetit publik dhe jetën e fëmijëve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve, ndërsa potencoi edhe rëndësinë e këtyre pullave postare në afirmimin e shtetit të Kosovës në mbarë botën.

Në fjalët përshëndetëse në këtë promovim, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha dhe zëvendës shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Larisa Bruun, vlerësuan lartë kontributin e Postës së Kosovës për emetimin e këtyre pullave postare për sensibilizimin e qytetarëve për vaksinimin e tyre për mbrojtjen dhe ruajtjen e shëndetit publik, si dhe parandalimin e përhapjes së valëve të reja pandemike që rrezikojnë të ardhmen tonë.

Vaksinat COVID-19 ofrojnë shpresë për t’i dhënë fund pandemisë.

Pamjet e katër pullave postare në imazhe janë: gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse, mësimdhënësit dhe të rinjtë. /Telegrafi/