PSG lëshon mundësinë të fitojë Ligue 1 për të dytën javë radhazi, tani humb nga Lille

Pas barazimit ndaj Strasbourgut, Paris Saint Germani nuk arriti të fitojë titullin në Ligue 1 për javën e dytë radhazi.
Tani klubi nga Parisi humbi me rezultat 5-1 ndaj Lille, duke befasuar kështu edhe një herë të gjithë.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën e shtatë pasi Thomas Meunier shënoi autgol, nuk kaloi shumë dhe rezultati u barazua nga Juan Bernat (11'). Në pjesën e parë nuk kishte më gola, por PSG mbeti me një lojtar më pak pasi Bernat u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 36-të.
Lille e filloi pjesën e dytë furishëm, fillimisht shënoi me anë të Nicolas Pepe (51') dhe pastaj ia vazhdoi me Jonathan Bamba (65'), Gabriel (71') dhe Jose Fonte (84').
PSG i duhet edhe një pikë për të siguruar matematikisht titullin, ndërsa aktualisht renditet në vendin e parë me 81 pikë, kurse Lille një pozitë me poshtë me 64 pikë.
Klubi nga Parisi në xhiron e ardhshme luan kundër Nantes, ndërsa Lille ndaj Toulouse. /Telegrafi/

















































