LAJMI I FUNDIT:

Pse po i shpenzon Serbia 150 milionë euro, në mes të askundit?

Pse po i shpenzon Serbia 150 milionë euro, në mes të askundit?

Serbia po nxiton të krijojë edhe krahun ushtarak të projektit të saj të “Ballkanit të hapur”. Për herë parë Serbia po ndërton një bazë ajrore jashtë kufijve të saj, në një shtet tjetër, dhe konkretisht një aeroport të madh ndërkombëtar në qytetin e vogël të Trebinjës, që ndodhet në pjesën e të ashtuquajturës Republika Srpska, në shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Hapi i ri ambicioz i Serbisë ka ngjallur një shqetësim të madh në Kroaci, ku dyshimet janë të mëdha për qëllimet e errëta dhe strategjinë ballkanike të Serbisë. Më 30 gusht, media e Bosnje-Hercegovinës,  “Sarajevo Times”, me titullin “Qeveria kroate po i kërkon shpjegime Bosnje-Hercegovinës për aeroportin e Trebinjes”, njoftonte se “aeroporti i Trebinjës ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve kroate, të cilat po i kërkojnë tani shpjegime Bosnjë-Hercegovinës që të sqarojë se çfarë është planifikuar saktësisht të ndërtohet në atë zonë kufitare me Kroacinë”.


Në mesin e muajit gusht, ministri i Ekonomisë i Kroacisë, Tomislav Çoriq, i dërgoi një letër zyrtare ministres së Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Bisera Turkoviq, në të cilën i kërkon informacione zyrtare për karakterin e projektit të aeroportit të Trebinjës, duke theksuar se “lutemi të na jepni informacione si shtet i interesuar”. Sipas “Sarajevo Times”-it, deri në 30 gusht, Ministria e Jashtme e Bosnje-Hercegovinës nuk i ishte përgjigjur kërkesës kroate, por portali “Seebiz” shkruante se “Kroacia nuk do të heqë dorë, kur është fjala për këtë projekt”.

Shqetësimi i Kroacisë për aeroportin e madh ndërkombëtar, që po ndërton Serbia me paratë e veta, që do të jetë pronë e Serbisë dhe do të menaxhohet nga Serbia, është i ligjshëm, sepse aeroporti po ndërtohet në kufi me Kroacinë. Meriton respekt ndjeshmëria dhe vigjilenca shtetërore dhe kombëtare e shtetit kroat për mbrojtjen e interesave të veta jetike përballë agresivitetit, lëvizjeve dhe veprimeve provokuese të Serbisë. Është rasti për të kujtuar këtu se Qeveria e Kroacisë është e para në Ballkan, e cila qysh në vitin 2004 i ka tërhequr vëmendjen e BE-së për ambiciet e Serbisë për të rikrijuar Jugosllavinë e vjetër nëpërmjet projektit të “zonës së përbashkët ekonomike”, që myteberet e “Ballkanit të hapur” po e shesin në tregun e vjetërsirave diplomatike si fustan të ri.

Dyshimet gjeopolitike për ndërtimin e këtij objekti serb, të cilin kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq, në një fjalim në Nova Topollë në 13 nëntor 2020 e cilësoi “projekt i ri dhe i madh strategjik, që ju do ta ndjeni fuqinë e Serbisë këtu në Republikën Srpska, janë të shumta dhe të bazuara.

Dyshimi i parë vjen nga fakti që Serbia po ndërton një objekt të rëndësishëm strategjik në territorin e një shteti tjetër, pa e pyetur atë shtet dhe pa patur lejen e atij shteti, që është Bosnje-Hercegovina. Burime të informuara zyrtare nga Sarajeva i deklaruan me këtë rast gazetës “Dita” se “Këshilli i Ministrave i shtetit të Bosnje-Hercegovinës nuk ka dhënë leje për ndërtimin nga Serbia të aeroportit në zonën e Trebinjës”.

Me arrogancën e shtetit shovinist, që nuk respekton sovranitetin dhe integritetin e shtetit fqinjë të Bosnjë-Hercegovina, Serbia nuk e ka përfillur refuzimin e Qeverisë së Sarajevës. De fakto kjo mund të quhet pushtim nga Serbia i territorit të Bosnje-Hercegovinës. Për aeroportin Serbia ka bërë marrëveshje të paligjshme me një entitet separatist si Republika Srpska, në një kohë që marrëveshje të tilla ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me territorin e shtetit dhe sovranitetin e tij, janë kompetencë e qeverisë qendrore të Sarajevës.

Vendimin politik për ndërtimin e aeroportit të madh ndërkombëtar të Trebinjës e shpallën në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Serbisë dhe të qeverisë së Republika Srpskas më 22 prill të këtij viti. Po në prill Serbia shpalli tender ndërkombëtar për përgatitjen e dokumentacionit projektues-teknik të aeroportit të Trebinjës, akt që përbënte një shkelje flagrante të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, sepse një shtet i huaj, Serbia, shpallte tender për një territor të një shteti tjetër.

Sipas presidentit serb Aleksandar Vuçiq, fluturimi i parë nga aeroporti i Trebinjes do të jetë në mars 2022.

Me aeroportin e ndërtuar, financuar dhe poseduar prej saj në Trebinje, Serbia shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Nga ana tjetër, Beogradi mbështet statusin separatist të Republika Srpskas, sepse e konsideron shtet më vete dhe bën marrëveshje të paligjshme me të për territorin dhe ndërtimin e aeroportit. Kemi aktin e dhunimit flagrant të sovranitetit dhe të integritetit territorial të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, në një kohë që Beogradi me demagogji e fton të bëhet pjesë e projektit të “Ballkanit të hapur”.

Dyshimi i dytë për aeroportin e madh ndërkombëtar të Trebinjes, të financuar, të poseduar e të menaxhuar prej Serbisë, është se sipas ekspertëve të fushës ky aeroport nuk ka asnjë logjikë financiare, ekonomike dhe tregtare që të ndërtohet. Aeroporti do t’i kushtojë Serbisë 150 milionë euro dhe nuk ka asnjë të dhënë apo parashikim që të mbështesë ndonjë mundësi efikasiteti ekonomik apo përfitimi financiar.

Aeroporti i madh ndërkombëtar i Trebinjes po ndërtohet në një zonë të prapambetur malore, pa asnjë resurs, pranë qytetit të vogël të Trebinjës me 30 mijë banorë. Nuk ka asnjë argumentim zhvillimi ekonomik apo turistik dhe askush nuk është në gjendje të thotë se kush do të fluturojë në atë aeroport. Aeroporti po ndërtohet, siç shkruan shtypi kroat, “në mes të askundit”, në një kohë që rreth e rrotull tij në një rreze prej 50 kilometrash janë katër aeroporte ndërkombëtare si Dubrovniku, Mostari, Pogdorica dhe Tivari. Distanca nga Trebinja në Dubrovnik është 22 kilometra larg.

Nuk mund të mos lindë pyetja se përse një shtet si Serbia do të hedhë në erë 150 milionë euro për ndërtimin e një aeroporti të madh ndërkombëtar, nga i cili nuk do marrë asnjë përfitim ekonomik apo financiar. Përse po i shpenzon Serbia gjithë ato para?

Ahere vijmë te dyshimi i tretë i madh dhe kryesor, që Serbia po e ndërton aeroportin e madh ndërkombëtar për qëllime ushtarake. Gazeta serbe “Telegraf” shkruante në 27 korrik se “mediat kroate kanë shprehur frikën se Beogradi planifikon të dislokojë gjuajtës rusë dhe serbë në Trebinje”. Media kroate “slobodnadalmacija” shkruante më 6 gusht se “mediat e Republika Srpskas flasin për mundësinë e përdorimit ushtarak të aeroportit për forcat ushtarako-ajrore të Serbisë dhe ndoshta të Rusisë”.

Gazeta “Slobodna dalmacija” shkruante në 22 maj se “nuk ka as logjikë ekonomike dhe as tregtare për aeroportin e Trebinjës, por ka një logjikë tjetër që bëhet nga qëllimet e fshehta të ardhshme ushtarake të këtij projekti. Ndoshta në Hercegovinën Lindore do të jetë një pistë, që synon të strehojë gjuajtësit rusë ose serbë”.

Me sa duket, është kjo strategji ushtarake serbe, e mbështetur nga Rusia, që çon në shpenzimin e një shume kolosale parash për ndërtimin e një aeroporti të madh ndërkombëtar në Trebinje, që do të jetë pronë e Serbisë dhe do të drejtohet prej saj. Praktikisht, Serbia po ndërton një bazë ajrore për forcat ushtarako-ajrore serbe dhe ruse.

Ekspertët kroatë shprehen se në funksion të qëllimit ushtarak pista e aeroportit të Trebinjes është projektuar të jetë më e gjatë se pista e aeroporteve ndërkombëtare të Zagrebit dhe të Beogradit, dhe e skicuar posaçërisht për pritjen e aeroplanëve të mëdhenj rusë të transportit ushtarak, “Antonov”. Në këtë optikë strategjike, ndërtimi nga Serbia paraqet një sfidë dhe kërcënim ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe ndaj faktorit perëndimor, i cili mbështet unitetin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ndërtimi i kësaj baze ajrore serb sjell dhe duhet të sjellë një shqetësim më të gjerë sesa vetëm në Kroaci, por në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë rreth tij.

Një shqetësim për këtë bazë ajrore serbe shihet edhe në Hungari, ku media hungareze “balkmagazin”, më 25 maj jepte alarmin me titullin: “A do të ndërtohet një bazë ushtarake ruse afër Dubvrovnikut me ndihmën e Serbisë?”.

Media e mësipërme hungareze i kujtonte opinionit se si nisi baza ruse e quajtur “Qendra humanitare ruso-serbe” që vepron në Nish, në Serbi, dhe për të cilën ministri rus i Emergjencave njoftoi më 15 maj se do të ketë zgjerim të mëtejshëm. “Balkmagazin” konkludon se “nuk është vështirë të kuptosh që aeroporti i Trebinjës është aktualisht një bazë e ardhshme ushtarake ruse”.

Beogradi e konsideron Republika Srpskan si pjesë dhe territor të Serbisë dhe i jep vetes të drejtën të ndërtojë pa leje bazë ushtarako-ajrore atje. Një bazë ruse Serbia e ka lejuar që në vitin 2009 në Nish dhe tani po ndërton bazën tjetër në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk duhet harruar se udhëheqësi ultranacionalist serb, Milorad Dodik, ka deklaruar prej kohësh se ai planifikon që t’i japë Rusisë një bazë ushtarake në territorin e Republika Srpskas. Tani shohim që kjo bazë ushtarake ruse e premtuar nga miku i Vladimir Putinit, Dodik, po bëhet realitet nga Serbia në Trebinje.

Jemi para një zhvillimi të rrezikshëm dhe me pasoja për vendet e rajonit dhe sidomos për shtetet anëtare të NATO-s në rajon, si Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Një bazë e re ushtarake serbo-ruse në Trebinje nuk ndërtohet për mbrëmjet rinore të vallëzimit ballkaniko-perëndimor dhe as për të shfaqur filmat e realizmit socialist të telenovelës “Ballkan i hapur”. Aeroporti i Trebinjës paraqet një plasdarm të ri të ndërhyrjes dhe të shantazhit ushtarak ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Asistojmë në një valë të freskët të ambicieve ushtarake të Serbisë në rajon dhe të forcimit të fuqisë së saj ushtarake në funksion të realizimit të planit serbomadh të “botës serbe” – të bashkimit në një shtet të vetëm serb të të gjithë serbëve të rajonit bashkë me territoret ku jetojnë. Këtë plan mund ta realizojë vetëm forca ushtarake.

Serbia po ndërton aeroportin e Trebinjës në mënyrë të paligjshme dhe praktikisht po e pushton territorin e Bosnje-Hercegovinës. Beogradi dërgoi para disa ditësh në territorin e Malit të Zi, forcat speciale serbe dhe njësitë e shërbimit sekret serb për të siguruar fronëzimin e peshkopit të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi nga protestat masive të popullit malazez. Është një formë e pashpallur e ndërhyrjes ushtarake dhe e pranisë ushtarake. Serbia në heshtje po përgatit terrenin që në Ballkanin Perëndimor apo në “Ballkanin e hapur” të kemi rrëshqitjen strategjike drejt pranimit të pranisë ushtarake serbe.

Nuk e dimë nëse ka narcistë në Tiranë dhe në Shkup, që ende rrinë para pasqyrës serbe dhe thërrasin “sa i bukur është ‘Ballkani i hapur’ serb”. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me dalldisje emotive krerësh, por kemi të bëjmë me lidhje okulte serbe dhe ruse në Tiranë dhe në Shkup.

Kemi një element të ri, që lidhet me aspektin ushtarak të projektit serb të “mini-Shengenit” apo të “Ballkanit të hapur”. Kemi tërhequr vëmendjen qysh në pranverën e vitit të kaluar se kalorësit serbë të “mini-Shengenit” kanë hedhur idenë e një force të përbashkët policore dhe ushtarake të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në datën 9 mars 2020, presidentja e Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë, Zhelka Cvijanoviq, deklaroi në Banja Llukë se ajo mbështet idenë e formimit të një force të përzier policore dhe ushtarake të përbashkët, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të dislokohet në kufijtë e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, për të ndalur valën e madhe të emigrantëve. Burime diplomatike nga Beogradi konfirmuan se ideja nuk ishte e saj, por ishte e presidentit të Serbisë, Vuçqç.

Në pretekstet me të cilat mvesh Serbia planet e saj janë shumëngjyrëshe, që nga etiketa humanitare për bazën e Nishit, etiketa turistike për aeroportin e Trebinjës, dhe etiketa e refugjatëve për dislokimin e forcave serbe në kufijtë jashtëm të “Ballkanit të hapur”, ka hyrë edhe Shqipëria e mjerë. Në kohën e satelitizmit të Shqipërisë nga Jugosllavia, Beogradi kërkoi të dislokonte dy divizione ushtarake jugosllave në Shqipëri nën pretekstin e mbrojtjes miqësore. Syleshëve është lehtë t’ua përsëritësh historinë dhe udhëheqësit e Shqipërisë i përkasin asaj kategorie.

Ardhja e një baze ajrore serbo-ruse në Trebinje përbën një zhvillim që duhet të verë në lëvizje vendet e NATO-s në rajon, siç po vepron Kroacia. Duhet të zgjojë edhe Shqipërinë, që vazhdon ende të jetë në moshën e pubertetit shtetëror dhe ëndërron dashurinë e vjetër për Serbinë dhe për udhëheqësit serbë. Do të jetë për të ardhur keq nëse me bazën ajrore të Trebinjës ndodh e njëjta gjë si me bazën ruse të Nishit në Serbi.

Kur u nënshkrua në 2009 marrëveshja për bazën midis Rusisë dhe Serbisë, as vendet e rajonit, as vendet e BE-së dhe as vendet e NATO-s nuk u ndjenë dhe nuk e kuptuan, por u zgjuan pas pesë vjetësh kur njësitet ushtarake ruse me uniformat e zjarrfikësve nisën të dislokohen me qindra në bazën e Nishit. Ndaj kundërshtimi i bazës së re ajrore serbo-ruse të Trebinjës vjen si detyre e çdo vendi të NATO-s në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë. /Gazeta “Dita”/