Kosova përmirëson renditjen në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, pas vendimit të Kushtetueses për ligjin e KPM-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar ngritje në Indeksin vjetor të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij, pas rënies alarmante një vit më parë.
Sipas raportit të publikuar këtë të enjte, Kosova renditet në vendin e 84-të në botë, me 55.89 pikë, 3 më shumë se një vit më parë.
“Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur për Media (KPM), ishte subjekt i një reforme legjislative, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në raport, i cili njeh punën e gjyqësorit për trajtimin e rasteve të gazetarëve si prioritet, duke tërhequr vëmendjen që shumë gazetarë janë subjekt i padive SLAPP nga grupe biznesesh dhe politikanë.
Raporti vjetor vë në pah se gazetarët vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre përkundër sulmeve politike.
“Edhe pse gazetarët me sukses punojnë për t’i mbajtur politikanët përgjegjës, ata vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Edhe pse gazetarët e kanë besimin e shoqërisë, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë janë shumë shpesh target i ofendimeve dhe lajmeve të rreme në media sociale. Ata akuzohen pa të drejtë se ‘punojnë për armikun’, një retorikë që përdoret nga grupe politike dhe religjioze”.

AGK thekson tutje se raporti përmend edhe bojkotin në vitin 2025 nga Qeveria për disa media dhe ndikimin politik në RTK.
“Para zgjedhjeve në fillim të vitit 2025, disa media private u targetuan për bojkot nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK”, vlerëson raporti.
“Edhe pse tregu medial në Kosovë është divers, zhvillimi i tij është i kufizuar për shkak të madhësisë së vogël të tij dhe ndarjeve etnike. Liria e medias kërcënohet nga rregullimi politik i saj, paditë SLAPP, qasja e pamjaftueshme në informacion dhe rreziqet për sigurinë e gazetarëve”, përmbledh raporti.
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU. /Telegrafi/



















































