Planifikimet e FSK-së dhe pjesëmarrja në operacionet jashtë vendit, gjenerallejtënant Jashari takon Haxhiun

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar ushtruesen e presidenten e Republikës së Kosovës Albulena Haxhiu.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se gjeneral Jashari e njoftoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës, të arriturat e saj dhe rrugën përpara.
“Gjithashtu ata diskutuan për planifikimet e FSK-së, duke përfshirë fazën aktuale të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat aktuale të Forcës. Për më tepër u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, e cila e shndërron Republikën tonë në një eksportues të sigurisë në konflikte të ndryshme globale”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, u.d. Presidentja Haxhiu e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e treguara në sfera dhe aktivitete të ndryshme në të cilat FSK ka qenë pjesëmarrëse.
“Në fund të takimit palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në forcë moderne, profesionale në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

















































