Dëshira për të ndihmuar shpesh kthehet në ndërhyrje – dhe fëmijët reagojnë me zemërim. Ja si ta ruani lidhjen pa humbur respektin

Kujdesi prindëror nuk përfundon me moshën madhore të fëmijëve, por kur këshillat kthehen në ndërhyrje, lindin keqkuptime dhe tensione. Fëmijët e rritur kërkojnë respekt dhe hapësirë për vendimet e tyre, ndërsa prindërit shpesh harrojnë se ata tashmë e kanë marrë jetën në duart e veta.


Shumë prindër ankohen se fëmijët e tyre të rritur “u bërtasin” dhe se çdo përpjekje për t’u dhënë këshilla ose për të shprehur shqetësim përfundon me debat, heshtje ose distancim emocional.

Ajo që prindërit e perceptojnë si kujdes apo udhëzim dashamirës, fëmijët e rritur shpesh e përjetojnë si ndërhyrje, kritikë apo mungesë besimi në aftësitë e tyre. Situata rëndohet edhe më shumë kur prindërit marrin rolin e viktimës dhe refuzojnë të dëgjojnë çfarë po u thonë fëmijët, duke u përqendruar më shumë në ndjenjat dhe nevojat e veta sesa në ato të tjetrit.

Kur fëmija yt s’është më “fëmijë”

“Ndërsa fëmijët rriten, prindërit mund ta kenë të vështirë të pranojnë që ‘beba e tyre’ është tashmë një i rritur i pavarur. Me fjalë të tjera, disa prindër kanë vështirësi të lënë pas rolin e tyre prindëror,” shpjegon psikologu dhe këshilltari familjar Jeffrey Bernstein për Psychology Today, përcjell Telegrafi.

Një ndër arsyet kryesore është nostalgjia – prindërit e shohin ende fëmijën përmes kujtimeve të dikurshme dhe u vjen e vështirë ta shohin si të rritur të përgjegjshëm.

Një tjetër faktor është instinkti i mbrojtjes: dëshira e natyrshme për të kujdesur dhe kontrolluar, edhe kur fëmijët janë në të dyzetat.

Ka edhe prindër që nuk e lëshojnë dot kontrollin. Të tjerë mbeten të lidhur pas pritshmërive të tyre – si duhet të jetojë, të punojë apo të zgjedhë partnerin fëmija dhe e kanë të vështirë të pranojnë dallimet.

Shpesh mungon edhe kuptimi i realitetit të jetës së fëmijëve të rritur: prindërit nuk e shohin përditshmërinë e tyre, përgjegjësitë, pavarësinë dhe sukseset, ndaj krijojnë pritshmëri që nuk përputhen me realitetin.

Çfarë mund të bëjë prindi?

▪ Marrëdhënia me një fëmijë të rritur kërkon një qasje të re: më pak kontroll, më shumë dëgjim.
▪ Flisni hapur dhe me sinqeritet, pa gjykim.
▪ Kujtoni se fëmija juaj është tashmë një njeri i pjekur, me të drejtën për zgjedhjet e veta.
▪ Nxitni pavarësinë dhe përgjegjësinë e tij, jo varësinë.
▪ Pyeteni për qëllimet dhe ëndrrat e tij – dhe më e rëndësishmja: dëgjojeni me vëmendje.

Vetëm përmes respektit të ndërsjellë dhe komunikimit të qetë mund të ruani lidhjen pa shndërruar kujdesin në konflikt. /Telegrafi/