LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë bizneset në qendra tregtare të Gjilanit: Në qytetet e tjera punohet

Protestojnë bizneset në qendra tregtare të Gjilanit: Në qytetet e tjera punohet

Përfaqësues të bizneseve që operojnë brenda qendrave tregtare në qytetin e Gjilanit kanë protestuar sot para Komunës së Gjilanit, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mbyllen qendrat tregtare deri më 18 prill. Të njëjtit kanë shprehur shqetësimin se bizneseve brenda qendrave tregtare në qytetet e tjera të Kosovës po u lejohet të punojnë, e që sipas tyre, vetëm në Komunën e Gjilanit nuk po u lejohet puna.

Refik Ramadani, përfaqësues i këtyre, tha se ndonëse nuk është faji i Komunës së Gjilanit pse janë vendosur këto masa, përmes protestës para Komunës tha se po tentojnë të adresojnë shqetësimet e tyre tek institucionet qendrore.


Ai tha se vetëm bizneset e Komunës së Gjilanit po diskriminohen, ndërsa bizneset në qendrat tregtare të qyteteve të tjera po lejohen të punojnë.

“Përmes Komunës (së Gjilanit) po tentojmë të dërgojmë mesazh tek institucionet më të larta që mos të diskriminohemi vetëm ne në qytetin e Gjilanit. Shumica edhe prej nesh këtu që jemi kemi biznese edhe në qytetet e tjera, në qendra tregtare, ndërsa atje na lejohet për të punuar, po flasim jashtë sektorit të gastronomisë, jemi sektor argjendari apo dyqane të tjera që operojmë. Pra, është një protestë simbolike ku edhe si qytet e dimë që nuk kemi shumë qendra tregtare, por edhe nuk jemi shumë biznese në qendra tregtare, por vetëm të jemi të barabartë me qytetet e tjera, pra të na lejohet të punojmë në lokalet tona në qendrat tregtare”, tha ai.

Ramadani tha se shumica e atyre që sot po protestojnë kanë biznese nëpër qendrat tregtare në komuna të tjera të Kosovës, e që tha se atje nuk po u ndalohet puna por vetëm në Gjilan.

“Në qytetet e tjera ne operojmë në qendra tregtare. Operojmë pa problem, (dyqanet) i kemi mbyllur se kemi respektuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, i kemi mbyllur ditën e parë, po kur kemi parë që po hapen biznese të tjera në të njëjtën hapësirë atëherë jemi detyruar ditën e nesërme edhe ne t’i hapim në qytetet e tjera, por në Gjilan asesi nuk lejohemi”, tha ai.

Edhe Lulzim Muhaxheri që ka biznese në qendrat tregtare në Komunën e Gjilanit, tha se duhet t’iu lejohet puna pasi që nuk janë biznese që grumbullojnë njerëz.

“Mesazhi është i qartë, nuk po na lejojnë vetëm neve të punojmë, në qendrat e tjera tregtare në Kosovë shumica e bizneseve brenda qendrave tregtare po punojnë. Në qoftë se vlen për tërë territorin e Kosovës atëherë edhe ata duhet të mbyllen. Bizneset tona nuk janë që mbledhin turma të mëdha. Nëpër qendra të tjera të Kosovës krejt po punojnë, vetëm në Gjilan nuk punohet, tash normal që edhe ne irritohemi”, tha ai.

Të hënën Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa kufizuese si masë mbrojtëse për COVID-19, ku përveç gastronomisë janë mbyllur edhe qendrat tregtare./kp/