Propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe propozim-Ligji për arsimin e lartë akoma nuk kanë arritur në Kuvend. Shërbimet e Kuvendit njoftuan shkurt se pasi të pranohen dy propozimet, do të diskutohet me grupet parlamentare për të caktuar seancën në të cilën do të duhet të miratohen dy ligjet, njëri prej tyre sistematik e që kërkon edhe votat me Badenter.

Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti tha se pret nga të gjithë deputetët ta mbështesin propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke përfshi edhe votat e deputetëve me Badenter.


“Unë besoj se të gjithë deputetët jo maqedonas që e përbejnë bandeterin janë të interesuar që kjo çështje që nuk ishte e zgjidhur asnjëherë në formë ligjore, por në formë verbale dhe me partneritet politik në Qeveri, të zgjidhet në mënyrë ligjore, me ligj të posaçëm dhe nuk kam dilemë që asnjë deputet jo maqedonas nuk do ta shfrytëzon këtë mundësi për të votuar ligjin i cili është në përputhje me interesat e bashkësive jo maqedonase”, deklaroi Izet Mexhiti.

Propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pretendon rregullimin e përfaqësimit të grupeve etnike. Kuotat e përfaqësimit i ndjek Trupi koordinues në kuadër të Qeverisë. Ligji nuk parashikon sanksione ligjore ose financiare për mos respektuesit, por masa politike të cilat duhet të precizohen përmes akteve nënligjore 6 muaj pas miratimit.

Ndërkohë propozim-Ligji për arsimin e lartë shkon në procedurë parlamentare pavarësisht se u kundërshtua pothuajse nga të gjitha universitetet publike në vend me akuzën se përveç që nuk rregullon çështjen kyçe në arsimin e lartë, cenon dukshëm edhe autonominë e universiteteve.

Pavarësisht kritikave në debatet publike, Ministria e Arsimit vendosi që përmes disa ndërhyrjeve të vogla kozmetike në propozim ta procedon të njëjtën në Qeveri e më pas edhe në Kuvend. Opozita ka deklaruar se të njëjtin nuk do ta mbështesë./Alsat/