Producenti 20 vjeçar nga Prishtina, Blanco prek top listat britanike dhe evropiane


Enes Abazi, i njohur profesionalisht si Blanco, është producenti 20-vjeçar nga Prishtina i cili po korr suksese të jashtëzakonshme në industrinë ndërkombëtare të muzikës hip-hop dhe drill.
Duke krijuar "beats" që nga mosha 13-vjeçare, Blanco ka arritur të bashkëpunojë me disa prej emrave më të mëdhenj të skenës botërore.
Së fundmi, bashkëpunimi i tij me reperin e njohur britanik Russ Millions (autorin e hitit gjeneracional “Body”) në projektin “News Update” arriti të renditet në vendin e #1 në Top Listën e Hip-Hop/Rap në Angli.
Ndërsa projekti tjetër, “Dam Square”, preku vendin e #33 në Top Listën Holandeze. Albumi ku përfshihet ky projekt u nominua si "Albumi Evropian i Vitit 2025" nga organizata polake Popkillery.
Blanco ka lënë gjurmë të rëndësishme në platformat më të mëdha të freestyle-it në Britani si “Pen Game” dhe “Plugged In” me Fumez The Engineer, duke punuar me artistë si 67, Taze dhe Chinx OS.
Muzika e tij ka depërtuar edhe në SHBA, duke u transmetuar në radiot më të mëdha amerikane si Hot97, OnTheRadar Radio dhe Power 105.1 FM përmes bashkëpunimeve me Yellow Tape & Lord JU.
Aktualisht, producenti nga Prishtina ka përfunduar një projekt ende të palansuar me reperin legjendar britanik Young Adz (D-Block Europe), si dhe është në bisedime për projekte të reja me grupin punues të yllit amerikan NBA Youngboy.“
Këto arritje janë vetëm fillimi, por dëshiroj t'i ndaj për të frymëzuar të rinjtë tanë dhe për të treguar se si shqiptarë po arrijmë suksese të dukshme në kuadrin ndërkombëtar që në moshë të re”, thotë Blanco. /Telegrafi/















































