Microsoft në konferencën Build 2026 prezantoi një sërë zgjidhjesh të reja teknologjike, mes të cilave spikasin gjenerata e re e modeleve të inteligjencës artificiale, procesori kuantik i përmirësuar Majorana 2, si dhe një agjent i ri autonom i AI për përdoruesit e biznesit me emrin Scout.

Kompania prezantoi gjithsej shtatë modele të reja të inteligjencës artificiale, të cilat mbulojnë fusha të ndryshme si arsyetimi i avancuar, programimi, gjenerimi i imazheve, sinteza e zërit dhe transkriptimi. Këto modele janë dizajnuar për të përmirësuar punën brenda ekosistemit të Microsoft-it dhe do të jenë të disponueshme përmes platformës Azure dhe shërbimeve të tjera partnere.


Vëmendje të veçantë tërhoqi procesori kuantik Majorana 2, i cili përfaqëson gjeneratën e ardhshme të harduerit kuantik të Microsoft-it. Sipas kompanisë, dizajni i ri dhe përdorimi i materialeve të avancuara, me ndihmën e inteligjencës artificiale, kanë mundësuar rritje të ndjeshme të stabilitetit dhe besueshmërisë së kubiteve - deri në 1000 herë më shumë krahasuar me versionet e mëparshme.

Microsoft thotë se kubitet tani mund të ruajnë gjendjen e tyre kuantike për më gjatë, gjë që është një hap kyç drejt krijimit të kompjuterëve kuantikë të shkallëzueshëm. Kompania synon zhvillimin e sistemeve kuantike komerciale deri në vitin 2029, me përdorime të mundshme në mjekësi, energjetikë dhe simulime shkencore.

Përveç harduerit, u prezantua edhe Scout, agjenti i parë autonom i Microsoft-it me inteligjencë artificiale, i cili mund të kryejë në mënyrë të pavarur detyra brenda sistemeve të biznesit si Teams, Outlook dhe OneDrive. Ky agjent funksionon si një asistent digjital me aftësi vendimmarrëse brenda kufijve të lejeve që i jep përdoruesi.

Në konferencë u prezantua gjithashtu edhe Surface RTX Spark Dev Box, një pajisje e fuqishme për zhvilluesit dhe krijimin e aplikacioneve të AI, që lejon ekzekutimin lokal të modeleve të avancuara pa u mbështetur vetëm në cloud.

Me këtë prezantim, Microsoft vazhdon strategjinë e lidhjes së fortë mes inteligjencës artificiale, kompjuterëve kuantik dhe zgjidhjeve harduerike, me synimin për të ndërtuar një ekosistem të unifikuar për gjeneratat e ardhshme të teknologjisë digjitale. /Telegrafi/