Përveç serisë së re Pixel 11 dhe Pixel Watch 5, Google mund të prezantojë më 12 gusht edhe një produkt të papritur: Google Pixel Tag, një pajisje për gjurmimin e sendeve si çelësat, portofoli apo çanta.

Sipas informacioneve të publikuara nga 9to5Google, në internet janë shfaqur listime të produktit me numrin e modelit GA12506, ndërsa çmimi në Evropë pritet të jetë rreth 30 euro.


Raporti sugjeron se Pixel Tag do të mbështesë teknologjinë Ultra-Wideband (UWB), e cila ofron gjurmim shumë më të saktë sesa Bluetooth-i tradicional.

Kjo teknologji mund të tregojë drejtimin dhe distancën e saktë të objektit, me një devijim prej vetëm pak centimetrash.

Pajisja pritet të konfigurohet përmes aplikacionit Find Hub (ish Find My Device) duke përdorur funksionin Fast Pair.

Ajo do të ketë edhe një altoparlant të integruar që mund të aktivizohet për ta gjetur më lehtë kur ndodhet afër.

Google do të mbështetet gjithashtu në rrjetin Find Hub, i cili përfshin më shumë se një miliard pajisje Android.

Kur një telefon Android kalon pranë një Pixel Tag të humbur, ai mund të dërgojë në mënyrë anonime vendndodhjen e tij në serverët e Google, duke rritur ndjeshëm mundësinë për ta gjetur sendin.

Edhe pse Google nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pajisjen, rrjedhjet e fundit dhe informacionet e zbuluara sugjerojnë se Pixel Tag mund të prezantohet zyrtarisht gjatë eventit Made by Google më 12 gusht. /Telegrafi/