LAJMI I FUNDIT:

Prizreni nuk ka shënuar të hyra të kënaqshme nga tatimi në pronë

Prizreni nuk ka shënuar të hyra të kënaqshme nga tatimi në pronë

Raporti tremujor financiar për buxhetin e Kosovës, i hartuar nga Ministria e Financave tregon se në komunat e Kosovës ka pasur rënie të arkëtimit të tatimit në pronë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në një njoftim për media nga Organizata “Ec Ma Ndryshe” thuhet se të hyrat nga tatimi në pronë, si të hyrat e vetme tatimore komunale, në këtë tremujor sipas MF-së kanë shënuar një rënie prej 8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015.


“Pothuajse të gjitha komunat kanë pasur rënie të inkasimit të tatimit në pronë, me përjashtim të këtyre komunave: Lipjan, Podujevë, Prishtinë, Dragash, Rahovec, Suharekë, Pejë, Skenderaj, Gjilan, Kaçanik, Viti, Partesh, Hani i Elezit dhe Kllokot. Sipas raportit del se nga komunat e mëdha, Komuna e Prizrenit ka rënien më të madhe të arkëtimit të tatimit në pronë, në tre muajt e parë të këtij viti. Ndryshimi me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është minus 43 për qind, apo vetëm 350 mijë euro, në krahasim me 620 mijë euro sa ka qenë arkëtimi në 3 muajt e parë të 2015-s”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se Komuna e Mitrovicës në tre muajt e këtij viti ka arkëtuar 110 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 130 mijë euro, apo 15 për qind më pak.

Komuna e Ferizajt në tre muajt e këtij viti ka arkëtuar 250 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 270 mijë euro, apo 7 për qind më pak.

Komuna e Gjakovës në tre muajt e këtij viti ka arkëtuar 280 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 300 mijë euro, apo 7 për qind më pak.

“EC Ma Ndryshe vitin e kaluar e ka pas parasysh faktin se trendi i ulët i arkëtimit të hyrave nga tatimi në pronë është ndikuar nga vendimi i pushtetit qendror për faljen e borxheve publike. Mirëpo rënia e arkëtimit të tatimit në pronë në këtë vit nuk mund të arsyetohet. Prandaj komunat me performansë të dobët në tremujorin e parë duhet që të shtojnë përpjekjet për përmirësimin e arkëtimit të tatimit në pronë, në mënyrë që ato mjete më pastaj të shfrytëzohen për investime në projekte infrastrukturore përkatësisht përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët e komunave respektove”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/