LAJMI I FUNDIT:

Prishtina pret kampionin në fuqi, Llapi dhe Flamurtari për t’i marrë pikët e para në Pranverë

Prishtina pret kampionin në fuqi, Llapi dhe Flamurtari për t’i marrë pikët e para në Pranverë

Java e 21-të në elitën e futbollit kosovar filloi me befasi ku Vëllaznimi arkëtoi një pikë nga udhëtimi në Gjilan 1-1 përballë Dritës.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër të ditës së premte, Liria triumfoi me rezultat minimal 1-0 përballë Feronikelit.


E padyshim që derbi i javës do të zhvillohet në qytetin e Pejës ku Prishtina po i zhvillon ndeshjet si vendas.

Skuadra nga kryeqyteti kosovar do ta presë kampionin në fuqi Trepçën ’89 të cilën e kishte mposhtur në Mitrovicë 0-2.

Sulmuesi më i rrezikshëm i Prishtinës, Ahmed Januzi ka thënë për faqen zyrtare të klubit se shpresojnë të mos bëjnë gabime dhe t’i arkëtojnë pikët e plota.

“Padyshim ndeshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe për kundërshtarin. Sa herë takohen këto dy skuadra, shikuesit kanë çfarë të shohin dhe shpresoj se njëjtë edhe tani do të shfaqim ndeshje interesante për sy”.

“ Shpresoj shumë mos të bëjmë gabime duke rrëmbyer pikët e plota. Sepse, në dy ndeshjet e kaluara, unë jam i kënaqur se si jemi paraqitur, tu e marrë parasysh me vuajtjet me stërvitje e në mungesë të stadiumit tonë, por me pikët e grumbulluara nuk jam i kënaqur, sepse kemi merituar më shumë”.

“Por, besoj se këto pikë do t’i kompensojmë në vazhdim të kampionatit i cili megjithatë është shumë i gjatë”, ka deklaruar, Ahmed Januzi.

Ahmed Januzi gjatë ndeshjes së parë përballë Trepçës ’89 (Foto: FC Prishtina)

Ndërkohë Trepça ’89 vije në këtë takim pas dy fitoreve radhazi në Pranverë ku mposhtën Vëllaznimin dhe Besën me rezultat të njëjtë 0-1.

Mbrojtësi i 89-shit, Përparim Islami në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se këtë derbi e vendosin detajet e vogla.

“Kemi një ndeshje derbi me Prishtinën dhe duhet të kemi kujdes në çdo sekondë pasi këto ndeshjet vendosen nga detajet e vogla”, ka thënë Islami.

“Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë takim me një mobilizim, angazhim dhe disiplinë besoj se do të kthehemi me rezultat pozitiv nga kjo përballje”.

Përparim Islami do të ketë edhe në ndeshjen e sotme punë me të pandalshmin e Prishtinës, Makenda.
(Foto: FC Prishtina)

“Prishtina ka një skuadër të mirë me disa lojtarë me përvojë, por ne nuk do t’i lejojmë hapësira dhe duam rezultat pozitiv”, ka thënë njëri nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në Kosovë, Përparim Islami.

Këtë ndeshje derbi do ta drejtojë gjyqtari Gramos Shala me ndihmësit Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj.

E ndeshja tjetër e ditës së shtunë do të jetë ajo që do të zhvillohet në kryeqytet mes Flamurtarit dhe Llapit.

Të dyja skuadrat ende nuk kanë marrë pikë në Pranverë dhe synojnë që këtë gjë ta bëjnë gjatë përballjes mes vete.

Si ndeshja në Pejë ashtu edhe ajo në kryeqytet pritet të fillojnë nga ora 13:00. /Telegrafi/