Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me ritme të shpejta, duke rrezikuar edhe banesat pranë vatrave të zjarrit në zonën e Krujës.

Në këto kushte, zjarrfikësit janë përballur drejtpërdrejt me rrezikun për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.


Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale shihen momentet e vështira me të cilat janë përballur efektivët gjatë ndërhyrjes.

"Mos u tremb, mos u trembni”, dëgjohet njëri nga zjarrfikësit duke i thënë të tjerëve.

Me pompat e ujit në duar dhe të rrethuar nga tymi e flakët, zjarrfikësit kanë luftuar për të shuar vatrat e zjarrit, ndërsa në disa momente flakët janë afruar me shpejtësi pranë tyre.

Pamjet tregojnë kushtet e vështira në të cilat ekipet zjarrfikëse po kryejnë punën e tyre, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur banorët dhe pronat e tyre.

Puna e zjarrfikësve ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa ekipet në terren kanë luftuar për të neutralizuar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në zona të banuara. /Telegrafi/