Prishtina ndizet për Botërorin 2026, çdo ndeshje LIVE në Sheshin “Zahir Pajaziti”


Nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026, Prishtina do të jetojë me emocionet më të mëdha të futbollit botëror. KD Events & Communications, përmes Prishtina Football Fest dhe me përkrahjen e Komunës së Prishtinës, sjell transmetimet LIVE të Kampionatit Botëror 2026 në Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Për më shumë se një muaj, zemra e kryeqytetit do të kthehet në stadium të hapur. Çdo ndeshje, çdo gol dhe çdo moment i madh do të përjetohet në ekran gjigant LED, me atmosferë festive, skenografi unike, aktivitete përcjellëse, bare dhe hapësira të dedikuara për tifozë, familje dhe grupe shoqërore.
Hyrja për publikun e gjerë do të jetë plotësisht falas dhe pa nevojë për bileta. Në kuadër të organizimit do të ketë edhe VIP Zone të rezervuar për sponsorë, partnerë dhe bileta të dedikuara.
Tash e 14 vite, KD Events & Communications ka ndërtuar traditën e organizimeve publike sportive në Prishtinë, duke sjellë në sheshet e kryeqytetit kampionate botërore, kampionate evropiane dhe ndeshje me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë.
Këtë verë, kjo traditë rikthehet edhe më e madhe.
Prishtina Football Fest nuk është vetëm transmetim ndeshjesh. Është festë qytetare, është ndjesi stadiumi, është vendtakim për njerëzit që futbollin nuk duan ta shikojnë vetëm, por ta përjetojnë bashkë.
Nga 11 qershori deri më 19 korrik, Sheshi “Zahir Pajaziti” bëhet pika ku qyteti merr ritmin e Botërorit.
Një ekran gjigant.
Një shesh plot jetë.
Një muaj futboll.
Një Prishtinë që feston bashkë.





































