Prishtina falënderon FFK-në dhe klubet kosovare për ndihmën

Është anuluar zyrtarisht ndeshja mes Lincoln Red Impsit dhe FC Prishtinës, e paraparë të luhet në pasditën e sotme.
Ndeshja në fjalë është anuluar pas tetë rasteve pozitive me COVID-19 te FC Prishtina para ndeshjes së sotme.
Ndërkohë, FC Prishtina ka falënderuar FFK-në për ndihmën urgjente në këtë periudhë, si dhe klubet kosovare për futbollistët e liruar në këtë ndeshje.
Njoftimi i plotë nga FC Prishtina
Prishtina Ju falënderon dhe nuk Ju harron
Me ndihmën e pakursyer të FFK-së e cila në mënyrë urgjente e tëra u shndërrua në shërbim të klubit, lejoi tërë stafin e saj në dispozicion të FC Prishtina, duke nisur nga trajnerët e U19 të Përfaqësueses, e deri te zyrtarët e ndeshjes dhe stafit medicinal që të bëhej e mundshme që skuadra të rigrumbullohej. Pa marrë parasysh të gjitha mendimeve ndryshe, duke filluar nga prijësit e FFK-së e deri te gjithë udhëheqësit e klubeve vendore, u tregua gatishmëri e të gjithëve që të ndihmohet klubi në situatën kaotike të krijuar nga pandemia. Të gjithë njëzëri u shndërruan në shërbim të FC Prishtina, me të vetmin qëllim që të gjithë së bashku t'ia dalim me faqe të bardhë në garat ndërkombëtare. FC Prishtina ndihet krenare me gatishmërinë e futbollistëve të gjitha klubeve që të vishnin fanellën e FC Prishtina. Duke veshur fanellën e Prishtinës, ata përfaqësuan jo vetëm Prishtinën, por futbollin tonë dhe klubet në të cilat janë të angazhuar. Me këta djem duhet të ndjehemi krenar.
Stafit, Bajram Shala (përfaqësues) i cili bukfalisht luftoi gjithçka çka ishte në mundësinë e tij, Murat Berisha e Valon Krasniqi (doktor), Zheraldin Durguti (fisioterapeut), Sahit Salihu (ekonom).
FC Prishtina në letër i kishte dy ndeshje relativisht jo të vështira. Nuk ka humbur vetëm Prishtina, pa dashur të prejudikojmë vendimin e UEFA-s, por i tërë futbolli ynë dhe vet pasqyra e shtetit tonë në botë. Pas konstatimeve që do të bëjmë, do të kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë përgjegjësit e mundshëm.
Një vendim përfundimtar mund të merret shumë shpejt nga shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA.
Ndryshe, kjo ndeshja ishte paraparë të luhej në fillim të kësaj jave, por shkaku i rasteve pozitive me COVID-19, e njejta u pezullua.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për rundin preliminar të Ligës së Evropës. /Telegrafi/






















































