eksperti-banner

Presidenti i Fenerbahces, Aziz Yildirim, ka lënë të hapur mundësinë e një transferimi spektakolar të Mohamed Salah, duke zbuluar edhe detaje mbi kërkesat financiare të yllit egjiptian.

Sipas Yildirim, Salah kërkon një pagë prej 20 milionë eurosh në sezon, ndërsa me përfshirjen e taksave kostoja totale për klubin do të arrinte në rreth 30 milionë euro në vit.


“Mohamed Salah kërkon një pagë prej 20 milionë eurosh. Me taksat, kjo shkon në 30 milionë euro. Salah dëshiron një kontratë trevjeçare që do të kushtojë gjithsej 90 milionë euro. Nëse do të ketë nevojë urgjente, ne do ta transferojmë”, deklaroi Yildirim.

Mohamed Salah konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë moderne të Liverpoolit. Sulmuesi egjiptian iu bashkua klubit anglez nga Roma në verën e vitit 2017 dhe shpejt u shndërrua në figurën kryesore të suksesit të “Të Kuqve” nën drejtimin e Jurgen Klopp.

Gjatë periudhës së tij në ‘Anfield’, Salah fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm. Ai kontribuoi në fitimin e dy titujve të Ligës Premier, Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës për Klube, Superkupës së UEFA-s, FA Cup, dy trofeve të Carabao Cup dhe Community Shield.

Në aspektin individual, egjiptiani ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit. Me 255 gola të shënuar në 435 ndeshje zyrtare, ai renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave te Liverpooli, pas legjendave Ian Rush dhe Roger Hunt.

Tashmë, Salah ka mbyllur zyrtarisht kapitullin e tij te Liverpooli dhe është larguar si lojtar i lirë, duke u kthyer në një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve.

Nëse Fenerbahce vendos të bëjë hapin e madh financiar, transferimi i Salah do të ishte një nga goditjet më të bujshme në historinë e futbollit turk dhe një sinjal i qartë për ambiciet e klubit për të konkurruar në nivelin më të lartë evropian./Telegrafi/

telegrafi sport app