LAJMI I FUNDIT:

Posta e Kosovës lëshon në përdorim pullën ’30 vjetori i Grevës së Minatorëve’

Posta e Kosovës lëshon në përdorim pullën ’30 vjetori i Grevës së Minatorëve’

Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim të jashtëzakonshëm, emisionin e pullës postare me titull “30 vjetori i Grevës së Minatorëve”.

Përmes pamjes së pullës postare, nderohet kontributi i minatorëve të Trepçës në mbrojtjen e autonomisë së Kosovës, që në vitin 1989 regjimi ish-jugosllav kishte filluar ta rrënoi me forca policore dhe ushtarake.


Në galerinë e horizontit 10-të të minierës ishin ngujuar 1,300 minatorë në grevë urie, të gatshëm për ta flijuar edhe jetën për interesat tona kombëtare, për dinjitet të popullit dhe brezave tanë të ardhshëm.

Greva e minatorëve u shndërrua në rezistencë gjithë popullore, me një sensibilizim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që pati për vuajtjet e popullit shqiptar të shtypur nën egërsinë e regjimit të ish-Jugosllavisë.

Mbi 1,200 minatorë u dënuan me nga 30 e nga 60 ditë heqje lirie, ndërsa ndaj organizatorëve dhe udhëheqësve të kombinatit u zhvilluan procese monstruoze politike.

Përkundër dhunës serbe forcohej rezistenca e popullit shqiptarë dhe vendosmëria për realizimin e aspiratës shekullore, që kulmoi me luftën e armatosur të UÇK-së dhe me përkrahjen e NATO-së, sollën çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999.

“Filatelia e Postës së Kosovës, do të kujdeset që përmes kësaj pulle postare të prezantojë rrugëtimin e popullit tonë deri tek liria. Greva e minatorëve ishte një prej ngjarjeve të mëdha historike të shtetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga Posta e Kosovës. /Telegrafi/