LAJMI I FUNDIT:

Porsche integron kontrollet e veturës në Apple CarPlay

Porsche integron kontrollet e veturës në Apple CarPlay

Porsche është bërë prodhuesi i parë i veturave që ka integruar funksione të veturës – sikurse ajrin e kondicionuar, ndriçimi ambiental i kabinës dhe sistemin e integruar të navigimit me satelit – brenda Apple CarPlay.

Modeli i parë Porsche që do të përfitojë nga ky integrim do të jetë Porsche Cayenne i fundit, përpara se kjo veçori të fillojë të shpërndahet edhe tek modelet e tjera.


Për afro një dekadë, Apple CarPlay ka qenë një veçori e popullarizuar e cila ishte në dispozicion tek shumë vetura, duke iu mundësuar përdoruesve që të vendosin dhe të kontrollojnë veçori të telefonave Apple sikur navigacioni, muzika, të bëjnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të dëgjojnë podcast nga ekrani i info-argëtimit ku renditja është e njëjtë sikurse tek sistemi operativ i telefonave të tyre, raporton Drive, përcjell Telegrafi.

Por veçoritë si kontrollimi i ajrit të kondicionuar më parë kërkonin që shoferët të dilnin nga Apple CarPlay dhe ta përdorin sistemin operativ të veturave.

Apple fillimisht tregoi se CarPlay do të zgjerohej për të integruar më shumë funksione të automjeteve si pjesë e Konferencës së saj të Zhvilluesve në mbarë botën në qershor 2022.

Aftësitë e zgjeruara të CarPlay të Porsche-së janë prezantuar si pjesë e një përditësimi të aplikacionit të telefonit My Porsche.

Ky sistem ofron një sërë veçorish, duke përfshirë shfaqjen e gjendjes së karikimit të baterisë së veturës, rregullimin e ajrit të kondicionuar dhe dërgimin e destinacioneve në sistemin e navigimit. /Telegrafi/