Policia në rajonin e Pejës mban ligjërata në shkolla për rregullat dhe rreziqet në komunikacion

Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë ka realizuar një projekt ligjëratash në disa shkolla të mesme në komunat Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, me qëllim vetëdijesimin e nxënësve për sigurinë në trafik.
Sipas njoftimit, gjatë një periudhe dyjavore janë mbajtur ligjërata me temën “Rregullat dhe rreziqet e mundshme për pjesëmarrësit në komunikacion”, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, përfshirë Ligjin për kundërvajtje, Ligjin për patentë shoferë dhe Ligjin për rregullat në komunikacion.
“Në periudhën dyjavore është mbajtur ligjërata për temën ‘Rregullat dhe rreziqet e mundshme për pjesëmarrësit në komunikacion’…”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se projekti është mirëpritur nga nxënësit pjesëmarrës, si dhe nga stafi i shkollave dhe drejtorive komunale të arsimit.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar që të vazhdojë angazhimin për ruajtjen e sigurisë së fëmijëve dhe parandalimin e dukurive negative. /Telegrafi/











































