Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të kontrabandimit dhe transportit ilegal të kafshëve në rajone të ndryshme të vendit gjatë 23 majit 2026.

Në zonën e Livadhit të Golajve në Ponashec, rreth orës 14:15, njësiti i Policisë Kufitare ka ndaluar dy shtetas të Shqipërisë, të cilët dyshohet se po transportonin në këmbë pesë krerë viça nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.


Kafshët janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Bjeshkët e Istogut, rreth orës 19:25, policia ka ndaluar një person që po transportonte 27 krerë qingja me një furgon, pa poseduar dokumentacionin përkatës.

Sipas policisë, prokurori është njoftuar për rastin, ndërsa kafshët janë lënë përkohësisht në përkujdesje të të dyshuarit. Furgoni është konfiskuar dhe rasti po hetohet.

Një tjetër rast i transportit ilegal të kafshëve është regjistruar edhe në Kllokot, ku policia ka ndaluar një kamion të drejtuar nga një i dyshuar mashkull kosovar.

Gjatë kontrollit është konstatuar se në rimorkio ndodheshin dy kuaj, për të cilët drejtuesi nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/