Humb jetën 33-vjeçari në Suharekë pasi ra nga një qershi, rasti po hetohet
Një 33-vjeçar ka humbur jetën të enjten mbrëma si pasojë e lëndimeve të marra pasi ka rënë nga një pemë qershie në fshatin Leshan të Suharekës.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se viktima fillimisht ishte dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku është konstatuar vdekja e tij.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30.
“Më datën 11.06.2026, rreth orës 20:30, Policia është njoftuar nga Emergjenca e Suharekës se F.B., mashkull rreth 33 vjeç, është marrë me autoambulancë nga shtëpia e tij në fshatin Leshan, Komuna e Suharekës, pas një rënieje nga një pemë qershie nga lartësia rreth 5-6 metra”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai shtoi se, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i lënduari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“I njëjti fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, më pas në QKUK – Prishtinë, ku rreth orës 21:15 është konstatuar vdekja e tij”, tha Bytyqi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetuesit kompetentë, të cilët në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.



























