LAJMI I FUNDIT:

PO TË THËRRAS

PO TË THËRRAS

E plagosur për vdekje nga një kamë dashurie e heshtur, e lidhur përjetësisht me mundësinë e të qenit të lumtur në një të ardhme të paqartë: Poezia e Idea Vilarinjos është një ogur që kërkon të projektojë në të ardhmen gjërat e humbura në të shkuarën.

Poezi nga: Idea Vilarino
Përktheu: Bajram Karabolli

Dashuri
që nga terri
që nga dhimbja
po të thërras
dashuri
që nga pusi i kujtimeve që po më zë frymën
pa asnjë ngushëllim e shpresë.

Po të thërras
dashuri
njësoj si fatin
njësoj si ëndrrën
për paqe
po të thërras
me zë
me trup
me jetë
me gjithçka kam
e s’kam
me dëshpërim
me etje
me ngashërim
sikur të jesh ajër
dhe mua po më zihet fryma
sikur të jesh dritë
dhe mua po më shuan vdekja.


Që nga një natë e verbër
që nga harresa
që nga orët e shkretuara
në vetmi
pa lot pa dashuri
po të thërras
njësoj si vdekjen
dashuri
njësoj si vdekjen.