Vetaksident në Shirokë të Suharekës, vdes një 52 vjeçar

Një person B.U i moshës 52 vjeçare ka ndërruar jetë sot rreth orës 10:06 në një vetaksident në fshatin Shirokë të Suharekës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipi i Emergjencës së Suharekës të cilët konstatuan vdekjen e viktimës.
“Më datë 21.07.2026, rreth orës 10:06, është raportuar një vetaksident trafiku në fshatin Shirokë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipi i Emergjencës së Suharekës. Në aksident është përfshirë automjeti që drejtohej nga B.U., mashkull rreth 52 vjeç, banues në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës. Si pasojë e vetaksidentit, drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti ka pranuar trajtim mjekësor, mirëpo nuk ka arritur t'u mbijetojë lëndimeve të pësuara. Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar”, ka thënë Bytyqi.
Tutje siç tha ai njësitet kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti. /Telegrafi/



































