Hapet thirrja publike, 880 mijë euro për bizneset në kuadër të Skemës së Granteve për Energji të Pastër

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se është hapur faza e II-të e thirrjes publike për përkrahjen financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) në kuadër të Skemës së Granteve për Energji të Pastër – faza II, në vlerë prej 880 mijë eurosh.
Në njoftim bëhet e ditur se skema synon të mbështesë sektorin privat në investime që kontribuojnë në tranzicionin energjetik, rritjen e efiçiencës së energjisë, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme dhe uljen e kostove operative të bizneseve.
Të drejtë aplikimi kanë Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme me aktivitete parësore ose dytësore në prodhim dhe përpunim, si dhe kompanitë që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike dhe zhvillojnë aktivitete në këta sektorë.
Skema e granteve zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta, të cilat përfshijnë masat:
- Masa 1: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike;
- Masa 2: Mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve;
- Masa 3: Mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Bizneset mund të aplikojnë për secilën nga tri masat (Masa 1, 2 ose 3) individualisht, me një mbështetje maksimale deri në 20,000 euro për secilën masë të vetme. Masa 1 dhe 2 mund të kombinohen secila me Masën 3, por në këtë rast mbështetja totale nuk mund të kalojë vlerën prej 25,000 euro.
Thirrja për aplikim është e hapur deri më 27 korrik 2026. Aplikimi realizohet përmes platformës eKosova, në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/Service/32.
Udhëzuesit për aplikim, dokumentacioni i nevojshëm dhe informacionet e detajuara, i gjeni në linkun në vijim: https://me.rks-gov.net/shpallje-2/#89c3a5426a290a0a2
Projekti realizohet nga Ministria e Ekonomisë (ME), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), respektivisht Agjencia për Investime dhe përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe LuxDev - Luxembourg Development Cooperation Agency. /Telegrafi/



































