Piers Morgan i kritikon brutalisht argjentinasit para finales: Shpresoj që Spanja t'i shkelë ata siç i shkelëm ne në luftë


Finalja e Kupës së Botës 2026 do të zhvillohet sonte nga ora 21:00 në New Jersey, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Spanja dhe Argjentina.
Se në Angli ende nuk është harruar eliminimi në gjysmëfinale nga Argjentina (2-1), e ka dëshmuar gazetari i njohur britanik, Piers Morgan, i cili ka shpërthyer me komente të ashpra në prag të finales.
I revoltuar nga veprimi i futbollistëve argjentinas pas fitores ndaj Anglisë, kur festuan me një pankartë ku shkruhej “Malvinat janë argjentinase”, Morgan nuk i kurseu fjalët.

“Shpresoj që Spanja t’i shkelë, ashtu siç i shkelëm ne në luftë”, shkroi ai.
Më pas, gazetari britanik i quajti futbollistët argjentinas “idiotë”, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Pankarta e shfaqur nga lojtarët argjentinas i referohej Ishujve Falkland, të cilët në Argjentinë njihen si Ishujt Malvina dhe mbeten një çështje e ndjeshme politike mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Lufta e Falklandeve u zhvillua nga 2 prilli deri më 14 qershor 1982, pasi Argjentina pushtoi ishujt, duke pretenduar se i përkisnin territorit të saj.
Mbretëria e Bashkuar reagoi me një operacion të madh ushtarak për të rimarrë kontrollin mbi ishujt.
Pas 74 ditësh luftime në tokë, det dhe ajër, forcat britanike triumfuan, ndërsa ushtria argjentinase u dorëzua më 14 qershor 1982.
Konflikti u mori jetën mbi 900 personave dhe, edhe pse Ishujt Falkland mbetën nën administrimin britanik, Argjentina vazhdon edhe sot të pretendojë sovranitetin mbi ta. /Telegrafi/













































