Inspektorati nis largimin e produkteve me yndyrë bimore nga tregu

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur aksionin për largimin nga tregu të produkteve të deklaruara se përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, përfshirë vajin e palmës dhe vajin e kokosit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se aksioni është ndërmarrë pas urdhëresës së Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila gjatë ditës së sotme ka urdhëruar nëntë kompani që t’i tërheqin nga tregu produktet e tyre të deklaruara me yndyrë me origjinë bimore.
Sipas MINTI-t, Inspektorati ka nisur gjatë pasdites kontrollet në marketet e kategorive B dhe C, me qëllim identifikimin e produkteve dhe largimin e tyre nga ekspozimi dhe shitja.
Produktet e deklaruara me yndyrë me origjinë bimore nga kompanitë “Drena” SHPK, “Bylmeti KS” SHPK, “Koral Dayri” SHPK, “Magic Ice Joint Stock” Sh.A., “Opatija Comerc” SHPK, Qumështorja “Aldi”, “Gexha” SHPK, “ABI” SHPK dhe “Natyra-G” SHPK duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu.
Ndërkaq, për produktet e kompanisë “Abrazen – Vita”, procesi i inspektimit është ende në zhvillim.
Subjektet e përfshira në masë janë urdhëruar gjithashtu që të ndërpresin menjëherë përpunimin dhe paketimin e produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore.
“Subjektet e lartcekura janë urdhëruar që të ndërpresin menjëherë aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, si dhe të largojnë nga ekspozimi dhe shitja të gjitha produktet kompozite të përfshira në këtë masë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
MINTI ka paralajmëruar se monitorimi i zbatimit të masave do të vazhdojë në të gjithë territorin e Kosovës.
“Do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të këtyre masave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi ndaj çdo subjekti që nuk respekton urdhëresat e institucioneve kompetente”, thuhet në njoftim.
Ministria ka deklaruar se masat synojnë mbrojtjen e konsumatorëve, zbatimin e legjislacionit dhe garantimin e një tregu të sigurt dhe të drejtë. /Telegrafi/





































