Pezullohet protesta e punëtorëve të RTK-së pas ndarjes së 2.24 milionë eurove nga Qeveria


Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar se është pezulluar protesta e paralajmëruar për të hënën në orën 11:30, pasi Qeveria në detyrë ka miratuar alokimin e 2 milionë e 240 mijë eurove për transmetuesin publik.
Sipas njoftimit, vendimi i miratuar të premten në një mbledhje elektronike krijon mundësinë për tejkalimin e situatës financiare, e cila bëri që punëtorët e RTK-së të mbeteshin pa paga për 13 ditë, transmeton KosovaPress.
Sindikatat theksojnë se, pavarësisht mungesës së pagave, punëtorët vazhduan punën pa ndërprerje, duke siguruar transmetimin e shërbimit publik për qytetarët.
Megjithatë, ato bëjnë të ditur se pezullimi i protestës nuk nënkupton mbylljen e çështjes. Nëse pagat nuk ekzekutohen, protesta e paralajmëruar do të organizohet në një fazë të mëvonshme.
Federata Sindikale e RTK-së kërkon nga institucionet përgjegjëse të krijojnë mekanizma që garantojnë financim të qëndrueshëm për RTK-në dhe pagesë të rregullt të pagave, duke theksuar se punëtorët nuk duhet të jenë peng i bllokadave politike, neglizhencës institucionale apo dështimeve menaxheriale.
Në fund të reagimit, sindikata shprehu mirënjohje për punëtorët për unitetin dhe solidaritetin e treguar gjatë krizës, duke vlerësuar se pikërisht ky bashkim kontribuoi në tejkalimin e situatës.



































