Kur u konfirmua se Kristian Prenga do të përballej me Anthony Joshuan, shumë e panë këtë si një luftë ku favoriti është i qartë.

Dy herë kampioni i botës është emri i madh, ndërsa Prenga konsiderohet "outsider". Megjithatë, për boksierin shqiptar kjo nuk është thjesht një ndeshje. Është momenti që mund t'ia ndryshojë tërësisht karrierën.


Mundësia që nuk vjen dy herë

Në boksin profesionist, jo çdo sportist arrin të përballet me një ikonë si Anthony Joshua. Prenga e ka ndërtuar karrierën larg dritave të skenës së madhe, duke regjistruar fitore dhe një përqindje mbresëlënëse nokautesh, por pa pasur rastin të përballet me elitën e kategorisë së rëndë.

Përballja me Joshuan është bileta e tij drejt nivelit më të lartë të sportit.

Edhe në rast humbjeje, nëse arrin të zhvillojë një duel dinjitoz dhe ta vendosë Joshuan në vështirësi, emri i tij do të hyjë në radarët e promotorëve, televizioneve dhe organizatorëve të mëdhenj.

Një fitore do të trondiste botën e boksit

Nëse Prenga arrin ta mposhtë Anthony Joshuan, nuk do të ishte thjesht surpriza e vitit.

Do të ishte një nga fitoret më të mëdha në historinë e boksit shqiptar.

Joshua është ende një prej emrave më të mëdhenj në kategorinë e rëndë dhe kjo ndeshje shihet si hapi i fundit përpara superduelit të planifikuar me Tyson Furyn.

Një humbje e Joshuas ndaj Prengës do ta rrëzonte të gjithë planin milionësh të organizatorëve dhe do ta kthente shqiptarin në një prej emrave më të kërkuar në sport.

Presioni është te Joshua, jo te Prenga

Në letër, Joshua ka gjithçka për të humbur.

Ai rikthehet në ring pas një periudhe të vështirë personale dhe sportive dhe konsiderohet favorit absolut. Mediat britanike e shohin këtë duel si testin e fundit përpara përballjes me Tyson Furyn.

Prenga, ndërkohë, hyn në ring pa barrën e favoritit. Kjo e bën atë të rrezikshëm.

Në kategorinë e rëndë mjafton një goditje për të ndryshuar historinë e një mbrëmjeje.

Shansi për të ndryshuar jetën financiarisht

Edhe aspekti ekonomik është i jashtëzakonshëm.

Raportimet flasin se Prenga do të arkëtojë shpërblimin më të madh të karrierës së tij nga kjo përballje, ndërsa ekspozimi global përmes DAZN dhe interesimi ndërkombëtar do t'i rrisin ndjeshëm vlerën në treg.

Nëse zhvillon një paraqitje të mirë, ofertat për duele të tjera të mëdha mund të vijnë menjëherë.

Përfaqësimi i Shqipërisë në skenën më të madhe

Prenga nuk futet në ring vetëm si individ.

Ai është një boksier shqiptar që do të ketë përballë një prej ikonave të sportit botëror.

Një paraqitje e mirë do të ishte reklamë jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për boksin shqiptar, i cili rrallëherë ka pasur një përfaqësues në një skenë kaq të madhe./Telegrafi/

telegrafi sport app