LAJMI I FUNDIT:

Përmirësohet situata nga përmbytjet në Shqipëri, nuk ka rrezik për zonat e banuara

Përmirësohet situata nga përmbytjet në Shqipëri, nuk ka rrezik për zonat e banuara

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion rreth situatës nga përmbytjet në Shqipëri.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, ka përmirësim të dukshëm të situatës si pasojë e reshjeve të rëna gjatë 24 orëve të fundit.


Kuotat e të gjithë lumenjve, veçanërisht e lumit: Drin, Buna, Vjosë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Niveli hidrik i kaskadave mbi lumin Drin paraqitet normale.

Është normalizuar gjendja në lagjen Granicë, në Gjirokastër, ku pati vërshim të përroit të Cullos.

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme, ndërsa në pak akse po punojnë në terren forcat e ARRSH, për të pastruar inertet, aty ku pati rrëshqitje të dherave si në rrugën e Arbrit, sipër tunelit apo edhe në rrugën midis fshatrave Bënçë dhe Lekdush, njësia Kurvelesh, Tepelenë.

Situata ka përmirësim sa i përket pranisë së ujit në rrugë apo sipërfaqe toke në qarkun e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Dibrës. /Telegrafi/