LAJMI I FUNDIT:

Përmendorja e “heroit” dhe “tradhtarit”

Përmendorja e “heroit” dhe “tradhtarit”

Nga: Daut Dauti

Para ndërtesës së Parlamentit Britanik, në vendin më prominent qëndron statuja e Oliver Cromwellit. Mëtanë rrugës dhe në murin mbi hyrjen kryesore të kishës Shën Margareta, qëndron busti i mbretit Charles I. Njeriu duhet të ketë merita të mëdha për t’iu vendosur përmendorja në këto dy vende shumë të rëndësishme.

Për ata që nuk kanë ndonjë njohuri për këta dy njerëz, duhet t’i themi disa fjalë duke u kthyer në historinë angleze të shek. XVII që ishte kapluar nga turbullirat e rënda që krijuan pasojat të cilat edhe sot janë të vlefshme. Shkurtimisht, Oliver Cromwell (1599-1658) ka qenë politikan anglez e më vonë prijës i Ushtrisë së Parlamentit kundër Ushtrisë së Mbretit Charles I (1600-1649) gjatë luftës civile angleze. Pra, Cromwelli i priu ushtrisë që kërkonte pushtet të Parlamentit, mbi mbretin, kurse mbreti nuk dorëzohej. Në këtë luftë fituan forcat parlamentare dhe Cromwelli e ekzekutoi mbretin Charles I. Sa ishte gjallë Cromwelli, Anglia u qeverisë pa mbretëri dhe ky ishte qëllimi i forcave parlamentare që e fituan luftën. Por, pas vdekjes së Cromwellit, anglezët e kthyen sërish sistemin e monarkisë, thjeshtë për shkak se nuk shihnin se si mund të qeverisen pa mbret.

Këtu kemi të bëjmë me një luftë e cila në të dy anët i ka arsyet e veta. Cromwelli solli zgjerimin e demokracisë dhe pushtetin e popullit, kurse mbreti Charles I u flijua duke e mbrojtur rendin kushtetues që ekzistonte. Për një kohë të gjatë, shoqëria angleze ka qenë e ndarë në këta dy taborë. Edhe pas luftës, e madje edhe sot ekziston kjo ndarje që ngritet mbi bazat se cili është “heroi” e cili “tradhtari”.

Përmendorja e Cromwellit është ngritur në vitin 1899. Pra, më shumë se dy shekuj pas vdekjes së tij, kurse busti i mbretit Charles I më vonë, gjegjësisht në vitin 1956 dhe është e qartë se është vendosur si karshillëk për Cromwellin apo siç themi ne: për inati! Që të dy përmendoret në fjalë kanë ithtarët dhe kundërshtarët e tyre. Kjo vjen si rezultat i qëndrimit që njeriu edhe sot ka ndaj luftës civile. Që të dy palët edhe sot kërkojnë rrëzimin e përmendoreve të njërës e tjetrës.

E tërë kjo situatë, në rastin e Kosovës do të ilustrohej me shembullin e Fadil Hoxhës dhe Shaban Polluzhës. Këta dy kanë qenë armiq të njëri-tjetrit dhe nuk kanë përmendore. Por, që të dy duhet të kenë dhe, sikur në rastin anglez, njëri në oborr të Parlamentit e tjetri matanë rrugës dhe përballë. Që të dy personalitet kanë luajtur rolin e tyre të domosdoshëm dhe kanë meritat e tyre. Kjo është arsyeja që shoqëria e Kosovës, sikur ajo angleze, është e ndarë në dy taborë dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën.  Të dyja kanë arsyet (e paarsyeshme) të vetat. Por, këto dy personalitetet duhet gjithsesi të kenë përmendore për shkak se me veprimet e tyre e kanë mbushur një fazë të historisë duke qenë në të dy anët e roleve.

Nuk ka shumë dallim me rastin anglez dhe shihet që nuk është rast i lehtë. Anglezëve iu është dashur të kalojnë më shumë se dy shekuj për t’i përkujtuar “heronjtë” dhe “tradhtarët” me përmendore. Ndoshta Kosovës i duhet më pak kohë. /Telegrafi/