LAJMI I FUNDIT:

​Përdorimi i kartelës bankare trend në rritje edhe në Kosovë

​Përdorimi i kartelës bankare trend në rritje edhe në Kosovë

Përdorimi i kartelës bankare për të kryer pagesa dhe shërbime, ka shënuar rritje për 3.6 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo mënyrë e pagesës po konsiderohet si më e lehtë, e sigurt dhe më e shpejtë. Përveç kësaj, nga Shoqata e Bankave të Kosovës thonë se kartelat bankare janë thelbësore për blerjet online dhe udhëtimet ndërkombëtare.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu vlerëson se avancimi në aspektin digjital dhe atë të pjekurisë së një shteti, është shfrytëzimi sa më i madh i kartelave.


Gërxhaliu potencoi se përdorimi i kartelës bankare për të kryer shërbime, është ndër format më stabile dhe të sigurta, derisa shtoi se pagesat cash lënë hapësire për falsifikim dhe kontrabandë.

“Unë besoj që me kalimin e kohës digjitalizimi po i jep efektet e veta. Duhet të kuptohet që sot një ndër tentativat kryesore në qeverisje është sa më pak letër dhe në këtë drejtim besoj që është e para. Dhe e dyta po e shihni që sot ka rrezikshmëri të shumta të bartjes së cash-it, ka mundësi të falsifikimit dhe të dukurive negative, dhe definitivisht pjekuria e një shteti apo avancimi në aspektin edhe digjital, por edhe në aspektin e pjekurisë, është shfrytëzimi sa më i madh i kartelave. Se a ka mundësi tjera? Me siguri vendet e tjera kanë por definitivisht është një trend që po e përcjell Evropën, po e përcjell botën, pse jo edhe Kosovën… Është ndër format më të sigurta, më të shpejta, dhe më stabile … sa më tepër qarkullim të cash-it nëpër duar te qytetarët, shumë më tepër ka informalitet dhe kontrabandë dhe kjo e dëmton Kosovën”, tha Gërxhaliu.

Ndërkaq, nga Shoqata e Bankave të Kosovës tregojnë se numri i kartelave bankare në Kosovë ka shënuar rritje për 3,6 për qind, derisa shtojnë se pagesat digjitale reduktojnë fenomenin e falsifikimit të parasë dhe se eliminojnë nevojën për të mbajtur sasi të mëdha parash.

“Të dhënat e fundit nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë që numri i kartelave bankare në Kosovë për periudhën deri në gusht të vitit 2023, është rritur për 3.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra gusht 2022. Kryerja e blerjeve me anë të kartelës është mënyrë më e lehtë dhe e sigurt për klientët, sesa pagesat me para kesh. Pagesat digjitale reduktojnë fenomenin e falsifikimit të parasë, por në anën tjetër edhe sistemi bankar ka një barrierë të fortë të sigurisë ndaj sulmeve kibernetike duke rritur edhe më tepër sigurinë e blerjes pa përdorur para kesh. Tjetër arsye e leverdishme për përdorimin e kartelave bankare është komoditeti që ofrojnë ato si një mënyrë më e përshtatshme për të bërë blerje, si personalisht, ashtu edhe online. Ato janë thelbësore për blerjet online dhe udhëtimet ndërkombëtare, ku paratë e gatshme shpesh nuk janë një opsion praktik”, thonë përmes përgjigjes në email.

Nga kjo shoqatë potencojnë se kartelat bankare nuk kanë zëvendësuar plotësisht paratë e gatshme, derisa thonë se përdorimi i kartelave ose parave të gatshme varet nga preferencat individuale dhe mundësive që ofrojnë bizneset për kryerjen e transaksioneve me kartelë.

Përveç kësaj, sa i përket mashtrimeve që mund të bëhen me pagesat digjitale, Shoqata e Bankave të Kosovës potencon se ato ndodhin kur klientët shpërndajnë të dhënat e tyre personale pa qenë mirë të informuar se me kë po i ndajnë ato të dhëna dhe rrjedhimisht mund të bien pre e keqpërdorimeve.

Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se të gjitha brendet e kartelave të lëshuara në Republikën e Kosovës janë ndërkombëtare dhe si të tilla lëshohen sipas standardeve më të mira ndërkombëtare të sigurisë.

“Të gjitha brendet e kartelat e lëshuara në Republikën e Kosovës janë brende ndërkombëtare (Visa dhe Mastercard), dhe si të tilla lëshohen sipas standardeve më të mira ndërkombëtare të sigurisë. Gjithashtu, edhe instrumentet e bazuara në pagesa me kartela, siç janë ato të realizuar në ATM, POS dhe e-comerc janë të licensuara dhe rregulluar nga skemat ndërkombëtare Visa dhe MasterCard. Duke pasur parasysh faktorët e lartpërmendur, konsiderohet se përdorimi i kartelës bankare për realizim të pagesave është i sigurt, edhe pse në këtë drejtim, për zvogëlim të mëtutjeshëm të rreziqeve potenciale, kërkohet angazhim gjithëpërfshirës në vetëdijesimin e qytetareve në respektim të udhëzimeve gjatë përdorimit të këtyre instrumenteve”, potencon BQK përmes emailit.

Nga BQK thonë se instrumentet kryesore të pagesave elektronike për pagesat me vlera të vogla, aktualisht janë transferet e kreditit, debit dhe ato përmes kartelave bankare.

Se përdorimi i kartelës bankare është më i lehtë dhe më i sigurt për të bërë pagesa e thonë edhe qytetarët.

Fahredin Konjuhi tha se nuk dëshiron të mbajë para në xhep, prandaj pothuajse gjithmonë e përdorë vetëm kartelën.

“E përdori kartelën 99.9 për qind, jo cashin, se nuk dua të kem para në xhep, më lehtë edhe çka me i mbajt paratë e hekurit në xhep apo të letrës…Shumë e sigurt, se banka nuk bën këso punësh të këqija, shumë më e sigurt edhe më e mirë e më e lehtë…Këtu po ke para, kam hyypur një ditë në autobus, tha nuk po bëjnë këto dy euro, edhe ia dhashë të tjera”, tha Konjuhi.

Po ashtu, edhe Fadil Ahmeti tregoi se zakonisht pagesat i kryen në mënyrë digjitale, pasi siguria është më e madhe.

“Zakonisht kartelën e përdori, por në raste të veçanta edhe cash, do pagesa që janë të ulëta, të vogla, paguaj me cash, e diçka pak më shumë me kartela. Më lehtë, patjetër që është më lehtë me kartelë, edhe kartela e ka efektin e vet, se kudo që të jesh mund të bësh pagesën me kartelë, me cash në raste të veçanta nëpër kafe apo kafiteritë e vogla…Shumë e sigurt është me kartelë, edhe në bankomat je më i sigurt, edhe në pagesa je më i sigurt, edhe në çdo gjë”, tha Ahmeti.

Përndryshe, rregullorja për qasje në llogari bazike me shërbime bazike ka hyrë në fuqi në muajin gusht të këtij viti. BQK-ja njofton se deri më tani nuk është raportuar ndonjë ankesë apo shqetësim nga qytetarët. Sipas të dhënave që kanë mbledhur nga bankat komerciale, janë raportuar 1621 aplikimet për llogari pagese me shërbime bazike nga të cilat 1589 janë hapur. /kp/